
Rritja e vrullshme e ndërtimeve dhe e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri është shoqëruar edhe me një interes gjithnjë e më të madh për arredimin e banesave dhe dizajnin e interierit.
Si rrjedhojë, roli i arkitektëve dhe dizajnerëve të interierit është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm.
Të ftuara në emisionin “MCN Economy”, arkitektet dhe dizajneret e interierit, Anila Hetoja dhe Agisa Xhemalaj u shprehën se shqiptarët po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për rëndësinë e punës së profesionistëve në projektimin dhe arredimin e banesave.
Anila Hetoja theksoi se profesioni i arkitektit dhe dizajnerit të interierit nuk lidhet vetëm me estetikën, por edhe me funksionalitetin dhe cilësinë e jetesës.
Sot interier design është një profesion shumë i kërkuar dhe krijues.
Profesioni i arkitektit dhe dizajnerit të interierit nuk lidhet vetëm me estetikën, por edhe me funksionalitetin dhe cilësinë e jetesës.
Edhe pse ende ka njerëz që e konsiderojnë marrjen e një arkitekti si një shpenzim të tepërt, ky është një shërbim po aq i domosdoshëm sa profesionet e tjera.
Klientët shqiptarë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt stileve bashkëkohore, me ndikime nga dizajni evropian dhe italian, ndërsa zgjedhja e stilit përshtatet gjithmonë me nevojat dhe buxhetin e klientit.
Nga ana e saj, Agisa Xhemalaj tha se kërkesa për arkitektë dhe dizajnerë të interierit është rritur ndjeshëm, kryesisht si pasojë e shtimit të ndërtimeve të reja.
Në Tiranë po ndërtohen shumë pallate të reja dhe blerësit e apartamenteve kërkojnë gjithnjë e më shpesh ndërhyrjen e një arkitekti ose dizajneri interieri për të organizuar hapësirat në mënyrë funksionale dhe estetike.
Ndërgjegjësimi i qytetarëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe se sot shumë prej tyre e konsiderojnë të domosdoshme angazhimin e profesionistëve për arredimin e banesës.
Tarifat për shërbimet e arkitektëve dhe dizajnerëve të interierit zakonisht llogariten mbi bazën e sipërfaqes, me pagesë për metër katror.



