Koleksionisti Eros Hoxha theksoi se një vend i vogël si Shqipëria duhet të investojë në koleksionim.
Duke folur në “MCN Informacion” ai e konsideron turp që në 35 vjet s’është gjetur dokumenti origjinal i shpalljes së pavarësisë.
Hoxha vë në dukje se koleksionistët më të mirë të Ali Pashë Tepelenës janë greke, jo shqiptarë, si dhe muzeu më i madh për këtë personalitet ndodhet në Janinë.
"Shqipëria është vend i vogël, në momentin që s’investon...Koleksionistët më të mirë të Ali Pashë Tepelenës i ke greke, edhe muzeu më i madh është në Janinë! Shteti grek investon, muzeu i Janinës i ka fondet 2 milionë euro, i blen objektet nga shqiptarët. Në 35 vjet është turp për ne që s’gjendet dokumenti i pavarësisë. Është vetëm origjinali, s’e dimë ku është”.
Duke folur mbi pasionin e tij të koleksionimit Hoxha rrëfen:
“Që në moshë të hershme para viteve 90’, koleksiononim pullat, i shkëmbenim, pas viteve 90’ filluan kartëmonedhat, monedhat. Ai që koleksionon e ka që i vogël, nuk është se bëhesh koleksionist kur rritesh. Ne kemi marrë informacion psh. kur është prodhuar një kartëmonedhë, kur përdorej. Këtu kam një kartëmonedhë që përdorej nga ndërmarrjet në vitin 68’. Të parat që kam koleksionuar kanë qenë pullat dhe monedhat. Koleksionimi ishte një sport borgjezësh në kohën e komunizmit. Kartëmonedha në Shqipëri që kur u krijua Banka e Shtetit Shqiptar, janë interesante, ka larmishmëri. Kemi kartëmonedha të 1918-ës, të Korçës, që u quajt krahinë autonome nën ndikimin e francezëve. Momentalisht kam dy ambiente që i mbaj. Gjithë koleksionistët e kanë problem mbajtjen. Janë disa letra që lëshojnë aromë pas disa kohësh, duhen të mbahen veç. Pasioni i koleksionistit është i lindur. Kur ti investohesh, iu futesh studimeve, boton një libër..."
Ai tha se është në bisedime për të hapur një muze në Përmet, ku të përfshihen edhe posterat e propagandës komuniste, që janë interesante edhe për turistët.



