
Të paktën dy persona kanë humbur jetën si pasojë e uraganit Fiona, i cili goditi Porto Rikon. Ky numër është i përkohshëm, pasi paralajmërohet se mund të ketë të tjera humbje jete.
Ndërkohë, uragani shënoi viktimën e parë edhe në Republikën Domenikane, ku një burrë vdiq i zënë poshtë nga një pemë e rrëzuar për shkak të erës së fortë në komunën e Nagua, në provincën veriore të María Trinidad Sánchez.
Bilanci i përkohshëm i kalimit të uraganit, i lëshuar nga Qendra e Operacioneve Emergjente është për 800 persona të zhvendosur, shumë përmbytje, mijëra shtëpi pa energji elektrike dhe dëme të tjera.
Isidro Quinones, 65 vjeç, u vra kur u zu poshtë nga një pemë gështenjë pasi doli në oborrin e shtëpisë së tij për të riparuar një pllakë që kishte probleme në çati.
Në të njëjtin sektor, janë raportuar disa rënie pemësh që kanë bllokuar autostradën që lidh provincën me atë të Samanës.
Sipas një raporti paraprak, 789 persona janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre dhe 54 banesa janë dëmtuar, kryesisht në lindje dhe verilindje të vendit, zonat më të prekura nga uragani. Më shumë se 11.500 shtëpi që shërbehen nga kompania e energjisë elektrike Edesur nuk kanë energji elektrike.



