Po braktisin kosovarët Durrësin? Zani: Çmimet e jugut i shtyjnë drejt veriut, po kërkojnë destinacione të reja

Po braktisin kosovarët Durrësin? Zani: Çmimet e jugut i shtyjnë drejt veriut, po kërkojnë destinacione të reja

Turistët nga Kosova vijojnë të përbëjnë një pjesë të rëndësishme të flukseve turistike drejt Shqipërisë, por këtë vit duket se po ndryshon edhe mënyra se si ata zgjedhin destinacionet. Durrësi mbetet një nga zonat më të frekuentuara, veçanërisht nga familjet dhe emigrantët kosovarë, ndërsa një pjesë e turistëve po orientohen edhe drejt Shëngjinit, Vlorës, Jalës dhe plazheve të jugut.

 

Operatorja turistike Fjorida Zani, në ‘MCN Economy’, thotë se nuk bëhet fjalë për një rënie të turistëve nga Kosova, por për një diversifikim të destinacioneve që ata zgjedhin, ndërsa fluturimet e shumta drejt vendeve europiane dhe njohja tashmë e mirë e Shqipërisë kanë ndikuar në mënyrën se si organizojnë pushimet.

 

Shifrat kanë treguar se ka pasur rritje, kjo edhe për shkak të fluturimeve të shumta që lidhin Europën. Turistët e Kosovës akoma zënë pjesën dërrmuese të turizmit shqiptar dhe ata tashmë e njohin vendin tonë shumë mirë. Vijojnë të vijnë edhe për fundjava apo gjatë dimrit, për disa ditë pushim. Kjo është një pjesë e rëndësishme dhe janë duke parë vende të reja. Mendoj se një pjesë e mirë ka zgjedhur edhe jugun, por duke qenë se çmimet janë goxha më të larta se në veri, prandaj shohim që kemi një diversitet turistësh dhe jo vetëm nga Kosova.

 

Sipas saj, turistët kosovarë nuk duhet të shihen më si një fluks që vjen vetëm gjatë sezonit veror, pasi një pjesë e tyre e vizitojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit, ndërsa kërkesa për destinacione të reja po ndryshon edhe hartën tradicionale të pushimeve.

 

Turistët nga Kosova janë të konsiderueshëm, por ideja është se ata nuk vijnë vetëm një herë në vit. Vijnë edhe gjatë dimrit, për një fundjavë apo për disa ditë. Çmimet e larta në jug i orientojnë turistët drejt bregdetit të veriut, ndërsa nuk është më ai turizmi si më herët. Tashmë ata kërkojnë të eksplorojnë, duke qenë se kanë shkuar për vite në të njëjtat vende. Prandaj kërkojnë të eksplorojnë edhe jugun, duke zgjedhur pjesë të tjera të Shqipërisë dhe jo siç ka ndodhur më parë, kur fokusoheshin kryesisht në Durrës.

 

Zani vëren se edhe Durrësi ka ndryshuar profilin turistik, duke rritur standardet, por njëkohësisht edhe çmimet. Sipas saj, kjo ka bërë që një pjesë e vizitorëve të kërkojnë alternativa të tjera, ndërsa destinacionet e jugut janë kthyer në një zgjedhje më të kërkuar, pavarësisht kostove më të larta.

 

Durrësi ka rritur standardet, por gjithashtu ka rritur edhe çmimet. Së fundmi po operon me paketa turistike dhe kjo është një nga arsyet që ata kanë zgjedhur Vlorën, Jalën dhe të tjera destinacione. INSTAT-i nuk ka nxjerrë ende shifra për këtë vit, por di që shumë turistë nga Kosova vijojnë ta vizitojnë ende Durrësin, kryesisht emigrantë me familje. Përveç turistëve nga Kosova, bregdetin e Adriatikut e pëlqejnë shumë edhe italianët, polakët dhe çekët. Po shohim që tani po vijnë dhe janë shtuar turistë edhe nga Anglia, por këta më shumë zgjedhin paketa qëndrimi në Tiranë, për të bërë më pak udhëtime ditore. Këtë vit Durrësi besoj vijon të qëndrojë në krye sa i përket rezervimeve.

 

Sipas Zanit, ndryshimi i sjelljes së turistëve po vihet re edhe në llojin e produkteve turistike që kërkohen. Tashmë një pjesë e vizitorëve nuk mjaftohen vetëm me qëndrimin në një destinacion bregdetar, por kërkojnë të kombinojnë pushimet me ture historike dhe kulturore.

 

Më shumë kërkojnë ture historike dhe kulturore, fillimisht nga Tirana për të vijuar në qytete të tjera, ndërsa klientët individualë vijnë të paorientuar. Pra, kemi një turist që tashmë kërkon të shohë më shumë se një destinacion dhe kjo po ndikon edhe në mënyrën se si organizohen paketat turistike.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy