Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe ka nënshkruar sot marrëveshjen për furnizim me vaksina kundër Covid-19 me kompaninë kineze “Sinofarm”.
Me marrëveshjen, Maqedonia e Veriut nga kjo kompani, siguron 200 000 vaksina të cilat do të arrijnë në muajin shkurt ndërsa data e saktë do të bëhet e ditur ditëve në vijim.
Ministria e Shëndetësisë duke respektuar urdhëresën e Marrëveshjes për fshehtësi, në pajtim me politikën globale të të gjitha kompanive për prodhim të vaksinave, përfshirë edhe “Sinofarm”, të dhënat që i përmban Marrëveshja, mbeten të besueshme.
Vaksinat nga Kina në Maqedoni do të arrijnë në aeropotin e Shkupit në ditët në vijim. Është bërë plan i detajuar për transportin e vaksinave nga aeroporti deri tek operatorët ekonomik të cilët janë të obliguar për t’i depozituar sasitë e vaksinave dhe më pas edhe plani për destribuim deri tek pikat e vaksinimit.
“Jemi të hapur për të gjitha opsionet. Unë besoj se pas muajit mars, të gjitha vaksinat do të jenë më të qasshme. Do të zmadhohet qasja gjithkund në Evropë”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i pyetur nëse autoritetet në vend po shqyrtojnë mundësinë për furnizim me vaksinën ruse kundër Covid-19 dhe vaksinën e kompanisë “Moderna”.
Filipçe theksoi se kompania “Moderna” ka ofruar kontratë, por që sipas ministrit sasia e ofruar është e tepërt për tregun maqedonas.
“Nga Moderna qysh në fillim na treguan që sasia më e vogël për të cilën bisedojnë…është shumë për tregun tonë. Do të thotë na ofruan së paku dy milion doza”, tha Filipçe.
Ministri Filipçe tha se nuk ka rëndësi të madhe lloji ose vendi i prodhimit të vaksinës kundër Covid-19, por që me rëndësi është të sigurohet vazhdimësi e imunizimit, respektivisht mos të ketë ndërprerje të procesit.
Sipas Sistemit Kombëtar të Imunizimit kundër COVID-19, në fazën e parë do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë, të angazhuar me pacientë me këtë sëmundje, si dhe personat mbi 70 vjeç.
Në fazën e dytë do të vaksinohen punëtorët me rrezik më të ulët, punonjësit në institucione vitale, personat mbi 65 vjeç dhe më të rinjtë nëse kanë sëmundje shoqëruese, ndërsa në fazën e tretë të gjithë ata që duan do të vaksinohen.
Maqedonia e Veriut, deri të hënën, ka diagnostikuar 94,798 persona me COVID-19, prej të cilëve 83,999 janë shëruar, 2,924 kanë humbur jetën, ndërsa 7,875 janë ende raste aktive.



