
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e degëve të PD të vendit.
Temë e takimit ishte situata politike në vend dhe skandali “McGonigal” dhe përfshirja e kryeministrit Edi Rama në të.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se misioni i demokratëve për shpëtimin e Shqipërisë është i vështirë, por se shtoi se PD do ngrihet e gjitha në këmbë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Mblidhemi sot në një moment shumë të veçantë, në një moment kur para të gjithë shqiptarëve është bërë përfundimisht e qartë, se Edi Rama të cilin ne me të drejtë, me fakte dhe argumente e kemi shpallur prej kohësh një armik të lirisë, armik të votës, armik të qenies sonë, faktohet se nga viti 2017 e deri më sot, ky demon pushteti, njeri pa asnjë princip, pa asnjë vlerë morale, pa asnjë normë, standard, ka punuar fshehtas dhe haptas, për shkatërrimin e PD-së, në Shqipëri.
Ka mobilizuar fonde, ka blerë dhe korruptuar për faqen e zezë të tij dhe atyre, individë ndër më të fuqishmit mbi tokë, në fushën e sigurisë, siç është rasti i shefit të kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal.
Ky akt i turpshëm, ky akt armiqësor ndaj vendit të madh të lirisë, vendit që udhëheq NATO-n dhe është përgjegjës për sigurinë e botës së lirë, del jashtë çdo lloj imagjinimi, që të bëhet nga një fuqi tjetër, përveç se armiqve të SHBA dhe NATO-s.
E vërteta është se, midis rekrutimit me korrupsion që Edi Rama i ka McGonigal, përdorimit të tij kundër opozitës, vendosjes së monizmit në Shqipëri, investimeve të mëdha të Deripaskës në Tiranë, ka një lidhje të pazgjidhshme. Por, ajo çka ne si forcë politike properëndimore na bie si detyrë, largimi i menjëhershëm nga pushteti i këtij njeriu që na abuzimin e tij, në thikën pas shpine që ju futi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, më të keqen që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga Enver Hoxha, deri më sot, është një barrë e rëndë për çdo shqiptare, qenia e tij në pushtet. Është një barrë e rëndë morale dhe jo vetëm morale.
Largimi i tij është i domosdoshëm për të distancuar çdo shqiptar, veten nga ky individ, që nuk ngurron të kryejë akte më armiqësore ndaj sigurisë së një vendi të madh, vendit që ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për lirinë e shqiptarëve, por nuk ngurron në një hakmarrje të verbër, në kundërshtim me ligjet, kushtetutën të përdorë atë kundër PD-së.
Berisha tha se protesta e datës 11 shkurt do të sillte edhe fazën përfundimtare të rrëzimit të qeverisë Rama.
Ne kemi thirrur protestën në datën 11 dhe hymë në një fazë përfundimtare të largimit të Ramës nga pushteti. Koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij, ora më e rëndësishme në misionin tonë. Ne nuk shmangemi, përkundrazi, bashkërendojmë dhe bëjmë çdo përpjekje për 14 majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë. Në pamje të parë është komplekse por misioni i kërkon të gjitha këto, kërkon që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet për një sukses të vërtetë të PD-së në 14 maj, për largimin e Ramës dhe votën e lirë të shqiptarëve.
Më 11 shkurt, Tirana duhet të derdhet e tëra në shesh. Shqipëria të vërshojë drejt Tiranës, por ne jemi në revoltë e në protestë. Ky është revolucion. Shqiptarët duhet ta dinë se parlamenti shqiptar është sot më i shëmtuar se kurrë. Ne jemi të vendosur të mos e braktisim kurrë por ne jemi të vendosur për protesta të fuqishme para parlamentit.
Nuk mund të pranojnë të zgjedhurit e popullit t’i shtypen të drejtat e tyre se po pranuan këtë, pranojnë shtypjen e të gjithë qytetarëve. Ata sillen si një bandë, bllokojnë komisionet tona hetimore çka nuk ndodh në asnjë parlament të botës. Deputetët tanë, ne jemi të vendosur, bllokimit të tyre t’i përgjigjemi me një qëndresë dhe të pamposhtur në parlament por veçanërisht degët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se protesta e parlamentit duhet të jetë e gatshme në çdo kohë se parlamenti s’mund të funksionojë si klub i Edi Ramës.



