
Pas një udhëtimi që zgjati 1 vit e 3 muaj dhe që frymëzoi mijëra ndjekës në rrjetet sociale, Çeki Hoti nga Kosova që u nis me biçikletë drejt Indonezisë për t’i propozuar vajzës së ëndrrave të tij, ka ndarë një rrëfim të papritur.
Në një intervistë për programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ai tregoi se historia e tij romantike nuk përfundoi siç shumëkush e kishte imagjinuar, dashuria që e shtyu të përshkonte 23 mijë kilometra nuk u kurorëzua me martesë, pasi familja e vajzës nuk ra dakord për kushtet e bashkimit.
Është e vërtetë që dashuria më shtyu të shkoj deri në Indonezi. Zemra e saj më bëri ta dua, por nuk mund të detyrosh askënd të dashurojë me zor.
Ajo ka bërë diçka ndryshe në jetën time, e ka ndryshuar mënyrën si shoh dashurinë.
Kontakti i parë me vajzën ishte në internet dhe më pas lidhja e tyre u forcua me kohën.
Kemi kaluar një periudhë shumë të bukur bashkë, kemi folur gjatë, kemi ëndërruar bashkë.
Edhe pse nuk përfundoi siç doja, unë e bëra timen. Ka ende sot burra që dashurojnë vërtet.
Çeki tregon se pas mbërritjes në qytetin Bau Bau të Indonezisë, e takoi vajzën për herë të parë dhe gjithçka dukej e mrekullueshme në fillim. Por pas disa ditësh, bisedimet me familjen e saj morën tjetër drejtim.
Pas një jave takimesh me familjen, nuk u morëm vesh. Ata kishin disa kushte që unë nuk mund t’i pranoja, dhe unë kisha të miat që ata nuk i pranuan.
Familja e saj është shumë tradicionale, me zakone të forta, ndryshe nga ne. Më dhanë vetëm një muaj kohë për t’u njohur më mirë, por unë nuk mund të qëndroja aq gjatë për shkak të vizës, kam vetëm edhe 10 ditë kohë të rrijë këtu.
Nuk dua ta marr dikë me zor. Është vajza e dikujt dhe e respektoj këtë.
Nëse është e shkruar, ndoshta një ditë do ndodhë. Por për tani, unë e vazhdoj jetën time, ajo të sajën.
Familja ime në Kosovë e ka pritur me krenari, edhe pse u zhgënjyen kur mësuan se historia nuk kishte përfunduar me dasmë.
Ata u gëzuan për guximin tim, por kur dëgjuan që nuk u gjet zgjidhje, u mërzitën pak. Megjithatë, jam i lumtur për aq sa zgjati.
Rrugëtimi i tij përfshiu 17 shtete, duke kaluar përmes Lindjes së Mesme dhe Azinë, shpesh në kushte ekstreme.
Kam kaluar në vende ku kishte luftë, kam përjetuar stuhi të frikshme në Arabinë Saudite.
Në një moment mendova se ishte fundi, por arrita me sukses. Ishte sakrificë e madhe, por ia vlejti çdo kilometër.



