Kreu i komisionit hetimor të CEZ-it, Taulant Balla, bëri publike sot gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare përfundimet e punës hetimore. Balla tha se gjatë hetimeve të kryera janë konstatuar shkelje të rënda në procedurat e privatizimit të OSSH-së. Balla tha se fituesi i tenderit, siç tregojnë provat, ka qenë i paracaktuar. Sipas kreut të komisionit hetimor, procesi i privatizimit të OSSH-së ka nisur vetëm pak muaj pas ardhjes së Berishës në pushtet dhe jo në vitin 2008, siç është bërë e ditur.
“Hetimet e komisionit hetimor bënë që opozita të futej në çadër. Përsa kohë nuk është ngritur sistemi i ri i drejtësisë, jemi të detyruar të hetojmë me komisione vendimet e marra në mënyrë abuzive. Ndër gjetjet e komisionit është se operatori fitues i privatizimit të OSSH-së ka qenë i paracaktuar. Është provuar se procesi ka filluar rreth fundit të vitit 2005, kur në pushtet sapo kishte ardhur PD, pra jo në vitin 2008, kur thuhet.
Nue Nikalaj ka pasur kontakte të shpeshta me ish-kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin Ruli. Në emër të Nikalaj ka pasur një transaksion prej 3.6 milionë euro. Shumë e përfituar nga Nikalaj nga CEZ është 7 milionë euro", tha ai.



