Nga Ina Gjonçaj
Zgjatet orari i punës për punonjësit e administratës, qeveria publikon rregullat e reja.
Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin e kohwzgjatjes së punës dhe pushimit në institucionet shtetërore. Vendimi është firmosur nga zv. kryeministri Erion Braçe, në mungesë të kryeministrit Edi Rama. Sipas vendimit të publikuar, orari ditor i punës fillon çdo ditë në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:30, ndërsa ditën e premte fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 14:00. E gjitha kjo veç qëllimit për të na kalitur e për të na bërë të kuptojmë që edhe gjysmë ore solitaire me shumë nuk bën keq, bëhet edhe për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive.
Çfarë t'ju them unë juve. Po e ndjekim virusin këmba-këmbës e mesa duket në fundjavë, punon fuqishëm, ditët e javës jo. Pra virusi punon në kah të kundërt me ne: kur ne mbyllemi del ai, kur dalim ne ai mbyllet. Thënë kjo, nuk kuptoj unë personalisht ku qëndron ndryshimi kur po aq orë i bie të shpenzojmë në punë veçse do jenë të shpërndara ndryshe. Apo jo? Apo po?
Ndërkohë suedezët vazhdojnë të na vërtetojnë dita ditës, që nuk mendojnë aspak për të stërvitur qëndresën e shtetasve të vet. Lexon pak, çfarë bënin në janar:
“Njeriu punon për të jetuar, nuk jeton për të punuar…”. Duket se këtë parim ka parasysh edhe qeveria e Suedisë, e cila pritet që shumë shpejt të aplikojë orarin e punës prej 6 orësh në ditë, me qëllimin për të rritur produktivitetin dhe bërë njerëzit më të lumtur.
Nuk e di, ata qofshin ata që janë. Lumturia thonë! Si mund të ketë lumturi pa kaluar sfida të vështira?
Kryeministri Rama mbërriti në bashkinë e Fierit për të zhvilluar takimin me naftëtarët.
Këta të fundit janë të gatshëm për zgjidhjen qe dha kryeministri në lidhje me pagat. Ditën e hënë kryeministri propozoi një pagë të ndërmjetme për gjithë naftëtarët deri në rifillimin e punës së rafinerisë.
Urraaaaah! Jua kam thënë që pas shiut del dielli? Jua kam thënë që asgjë nuk është e pamenduar nga qeveria? Jua kam thënë që çdo vendim ka kohën e vet? Pas plot 20 vitesh që pranë fjalës 'naftëtar' shohim termin 'grevë' më në fund, në një titull, kjo e fundit zëvendësohet nga fjala 'bashkëbisedim' . Me këtë ritëm ne arrijmë të kuptojmë pak a shumë kohën e qeverisë: 20 vite grevë, një zgjidhje, që me takimin e parë. Ky është fat i madh se të tjerë kanë bërë sa e sa takime për të pasur një zgjidhje, por kjo ka pak rëndësi. Me ankth e pasion presim me kë do takohet sërish i pari i vendit, duke ditur që do jemi edhe më të fortë në durimin tonë. Fundja secili nga ne, është nga pak 'naftëtar' diku thellë.
Rruga e Durrësit mbyllet në fundjavë, Bashkia e Tiranës: Hedhim shtresën e fundit të asfaltit
“Duke filluar nga ora 22:00 e së premtes, 13 nëntor, e deri në orën 06:00 të së hënës, 16 nëntor, qarkullimi në këtë rrugë do të jetë i kufizuar, për shkak të punimeve për zbatimin e fazës së fundit të projektit, që parashikon pikërisht shtresën e fundit asfaltike dhe sinjalistikën e saj. Për këtë qëllim, do të kufizohet qarkullimi në rrugën e “Durrësit”, nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Karl Topia”, dhe në rrugën “Mine Peza”, nga ish-Kafe Flora deri në rrugën “Fortuzi”,- sqaron Bashkia.
Ndjej gjithmonë një drithërimë kur Bashkia ka një komunikatë. O do na bëjë çiklistë me zor o nuk ka. O na do me fustane me kuadrate, e me franxhollë në kosh, o nuk ka. E këtë të fundit e them shpesh se më pëlqen si batutë. Fundja pse mos përsëris edhe unë gjëra, kur vetë Bashkia, përsërit hedhje asfalti sa herë do? Shto këtu dhe shtetrrethimin , shto dhe këto rrugët e bllokuara -lart ju kam përmendur veç gjysmën e listës-, shto dhe trafikun, shto dhe depresionin...ah ç'ditë të bukura do jenë. Veç një pyetje kam: ore sa herë i keni hedhur shtresën e fundit të asfaltit, kësaj rrugës së Durrësit? Gjithmonë i mungon një shtresë, siç gjithmonë një femre i mungon pak filler tek buzët. Filleri nuk pengon trafikun të paktën.
COVID, ilaçi që në Shqipëri shitet deri në 500 euro, në Turqi jepet falas
Në Shqipëri, të infektuarit me Covid kanë nisur të marrin ilaçin Favir për t’u trajtuar. Por ky ilaç sipas autoriteteve është kontrabandë dhe nuk duhet të përdoret nga të sëmurët. Megjithatë, në Turqi ky ilaç jepet falas nga shteti me recetë të mjekut. Këtë gjë e konfirmoi edhe dr. Bilgin Sait nga Stambolli. Në Shqipëri, ky ilaç shitet me çmime stratosferike që shkojnë deri në 500 euro.
Nuk kam shumë komente për këtë lajm. Nuk di të them nëse është ilaçi i duhur. Di të them vetëm që një miku im turk i natyralizuar këtu, në vendin e aventurave, e kaloi tak-fak Covidin me këtë ilaçin. Kryeministri thotë që nuk bën. Nuk bën-nuk bën. E ka aq të lehtë të na e vërtetojë: të na e japë falas një herë që ta provojmë vetë, pa bërë prova që na kushtojnë 500 euro.
Gjuhë e ashpër ndërmjet Ramës e Bashës.
Titull ky? Po po, kaq ishte. Gjuha e ashpër mes Ramës dhe Bashës. Edhe? Çfarë ka të re këtu? Mes vijash të kuqe, çadrash, shumëzimesh, pjesëtimesh, këpucësh të hedhura, veshësh për t’u ngrënë, statusesh në rrjetet sociale, qiqrash në hell, zënka ditën e takime natë, ende' përbën lajm, gjuha e ashpër në politikën shqiptare? E lashë fare...për sot!



