
Nga Evarist Beqiri
Paris, nëntor 2026
Në qershor të vitit 1916, në zemër të Parisit, kur Lufta e Parë Botërore po e fshinte Shqipërinë nga harta politike e Europës dhe ushtritë ndërluftuese kishin copëtuar territorin tonë, Ismail Qemal Vlora realizoi një lëvizje të mprehtë diplomatike. Një dokument i panjohur i shtypit parlamentar parizien, i botuar në gazetën “L’Homme Libre” të Georges Clemenceau-s më 24 qershor 1916, zbardh një akt diplomatik të harruar: Themeluesi u dëgjua zyrtarisht brenda Senatit Francez.
Nën rubrikën parlamentare “Au Luxembourg”, që në gjuhën institucionale franceze shënon Pallatin e Luksemburgut, selinë e Senatit në Paris, raportohet mbledhja e zhvilluar një ditë më parë, më 23 qershor, nga Grupi Senatorial për Mbrojtjen e Interesave Franceze Jashtë Vendit, nën kryesinë e diplomatit dhe senatorit Charles d’Aunay. Dokumenti i regjistron me saktësi statusin e tij: “z. Ismail Qemal Bej, ish-president i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë”. Në mes të kaosit të luftës, kur shteti shqiptar kishte mbetur pa institucione funksionale, një forum parlamentar i një Fuqie të Madhe ia njihte qartazi staturën e burrështetasit dhe legjitimitetin përfaqësues.
Ismail Qemali nuk hyri në Senatin Francez për të lypur mëshirë diplomatike. Siç dëshmon raporti i “L’Homme Libre”, ai mbajti një “prezantim historik” (exposé historique) mbi Shqipërinë dhe pohoi simpatitë e saj ndaj Francës, duke artikuluar përpara elitës politike pariziene identitetin europian dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje, po ashtu siç do të bënte një vit më vonë në revistën “Je Sais Tout”.
Pesha e kësaj dëgjese kuptohet plotësisht vetëm kur vendoset në tablonë e ftohtë të gjeopolitikës së vitit 1916. Pikërisht në atë periudhë, kryeministri francez Aristide Briand i bënte presion Ismail Qemalit që të përfshinte Jugun e Shqipërisë në operacionet ushtarake të Aleatëve, një kërkesë që Themeluesi e refuzoi me dinjitet sovran, edhe me koston e largimit të mëvonshëm nga Franca. Duke i refuzuar pazaret territoriale me ekzekutivin, ai depërtoi paralelisht në zemër të Senatit dhe në faqet e gazetës së Georges Clemenceau-s, kundërshtarit më të ashpër parlamentar të Briand-it dhe burrështetasit që shumë shpejt do të drejtonte Francën dhe Konferencën e Paqes.
Ky zbulim arkivor rrëzon përfundimisht përfytyrimin naiv të një diplomacie shqiptare të mbyllur në sallone periferike. Ismail Qemal Vlora vepronte në elitën e politikës europiane. Ai kuptonte se në kohë luftërash botërore, ku kombet e vogla rrezikojnë të shndërrohen në monedhë shkëmbimi mes kancelarive, arma e vetme e mbijetesës është prania institucionale aty ku merren vendimet.
Dëshmia e 23 qershorit 1916 në Pallatin e Luksemburgut mbetet një mësim i gjallë për kulturën tonë të sotme shtetërore. Sovraniteti shtetëror nuk mbrohet me retorikë folklorike për konsum të brendshëm, por me argumente historike, dinjitet të panegociueshëm territorial dhe aftësi për të folur me gjuhën e institucioneve në zemër të Europës.
DOKUMENTI I PLOTË I SHTYPIT PARLAMENTAR FRANCEZ
Gazeta “L’Homme Libre”
Paris, 24 qershor 1916, f. 2
(Kryeredaktor: Georges Clemenceau)
INFORMACIONE PARLAMENTARE
Në Pallatin e Luksemburgut (Au Luxembourg — Senati Francez)
Komisioni i Ushtrisë. — Komisioni senatorial i ushtrisë u mblodh dje, nën kryesinë e z. Clemenceau. Ai dëgjoi një raport nga z. Gervais mbi prodhimin e predhave të të gjitha kalibrave gjatë muajit maj 1916 dhe miratoi njëzëri kushtet dhe përfundimet e tij. Komisioni më pas diskutoi situatën ushtarake dhe vendosi të dëgjonte pa vonesë qeverinë.
Çështja e Shqipërisë. — Grupi i Senatit për mbrojtjen e interesave franceze jashtë vendit u mblodh dje, nën kryesinë e z. d’Aunay. Ai dëgjoi z. Ismail Qemal Bej (Ismaël Kemal Bey), ish-president i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, i cili mbajti një prezantim historik mbi atë vend, duke pohuar simpatitë e tij ndaj Francës.
