Antilajmi

Antilajmi

​Epoka high tech dhe shkrimi i dorës

Një lajm bombë tronditi atë që ka marrë emrin “biznesi i spektaklit”. Një lajm që pakkush do e kishte pritur, një lajm që la pa gojë edhe më të apasionuarit e stilit, thashethemit dhe modës. Gigi Hadid, pikërisht ajo, vajza që ka punuar aq fort për ... të çuar përpara paratë e të atit (po këtu flet ligësia ime) është bërë nënë. Bashkëshorti ish- One Direction, ndryshe Zyan Malik, është i lumtur gjithashtu. Nuk ka asnjë çudi gjer në këtë çast: çudia nisi kur u shfaq lajmi që Gigi kish shkruar një dedikim për të bijën. Keni të drejtë të thoni që as këtu nuk ka asnjë çudi. Po! Apokalipsi ndodh në çastin që shtypi më prestigjoz në planet, thekson se dedikimi është bërë në një mënyrë aq të veçantë, aq të vjetër, sa na shkon mendja tek gdhendja në gur. Por jo! Jeni gati? Suspansë? Gigi e ka shkruar këtë letër me ...shkrim dore. Kaq mjaftoi që bota të ndalej, zogjtë mos fluturonin për një çast, madje dhe në Shqipëri kantieret e ndërtimit të ndalnin zhurmën. Gigi Hadid pra, ka duar, ka dhe një stilolaps e në 2020 ajo kthen në modë, shkrimin me dorë. Bravo!

Apple dhe planeti 

Të gjithë e dimë sa për zemër e kanë këto kompanitë e mëdha, fatin e planetit. Kështu që dhe ata të Apple të shqetësuar për ndotjen nga plastika e tepërt, vendosën që me Iphone 12 (përveçse të linin pa gjumë ata që nuk kanë paguar ende’ këstet e 11) të ndihmonin ekologjinë. Si? Duke e shitur pa kufje, pa karikues se fundja nuk ke ç’i do kur ke të vjetrat. Ndonëse kufje dhe karikues për 12-n ka, dhe janë në shitje (më të mira, më të bukura, më të shtrenjta) dhe dihet që do joshin po ashtu blerësit e teknologjisë. Çfarë gjetjeje e? Shpëton planetin se e shet një iphone pa kufje dhe karikues që janë plastikë e tepërt, por këto kufje e këtë karikues i ke paketuar po me plastikë, veçmas!

Eh...çfarë gjesti fisnik! 

Tampon? Jo faleminderit! 

Shqipëri! Ky vend shqiponjash e trimash! Kemi qenë të gatshëm të rrëzojmë buste diktatorësh (në fakt “një” bust, por tingëllon më epik si veprim, në shumës, nuk kemi patur frikë të marrin kallash e të gjuajmë qiejve në ‘97-n, por ama’ nëse na afrohesh për të na bërë tamponin, mund t’ia mbathim me të katra. Këtu nis ai që quhet “grupi i të fshehurve anonimë”: ata që janë pa simptoma e kanë të lehtë se bindin veten që gjithçka është në rregull, ndërsa ata me simptoma përpiqen t’i fshehin më së miri. Tampon do të thotë mundësi për të qenë i infektuar, infektim do të thotë mos ikje në punë e nëse je pa kontratë (pjesë e lojës për kalitje që na ka bërë qeveria) edhe pushim nga puna, do të thotë 600 deri 700 mijë lekë ilaçe, e në këtë pikë më mirë mos ta dish hiç si je dhe pse je. 

Përveç kësaj, qeveria, si pjesë e lojës Surviver, ka vendosur edhe një paralajmërim të qartë duke thënë se shteti nuk ka asnjë mundësi të sigurojë tampon falas për shtetasit e vet, as për ata që punojnë në shtet. 

Kështu që të gjithë veprojnë si fqinja ime që më thotë “Ha dy hudhra në ditë e nuk ka Covid që të mposht”. 

Ah, sa bukur! 

Do ndjekim shembullin e grekut!

Qytetarët grekë braktisën Athinën pas njoftimeve për mbylljen e vendit në kuadër të masave anti-COVID.

Radha e makinave në rrugët nacionale është rritur ndjeshëm pasi shumë athinas po largohen nga kryeqyteti për në fshatrat e tyre, pak para bllokimit për shkak të koronavirusit, që nis nesër në 06.00 të mëngjesit, deri më 30 nëntor.

Të njëjtën gjë mund të bëjmë fare mirë edhe ne! Ka vetëm një problem: ne nuk kemi asnjë shtëpi pushimi në fshat, në mos shtëpi pushimi, thjesht shtëpi jashtë Tirane. Kjo, sepse i shitëm për të ardhur në Tiranë. 

#përshkelje e gjuhës

Emisioni dashuror për të cilin ju shkrova dhe herën e shkuar, vazhdon mes grindjeve, klikimeve dhe po prapë grindjeve. Sa bukur! Një pasdite me të rinjtë shqiptarë, të shkathët, të bukur, të dashuruar. Ata përballen fort me argumente të artikuluara mirë si për shembull “vetja ime kështu e ‘ndjevi’ kështu e bëri” apo “ kur unë ‘ashtu’, ti mos më ‘ashtu’”. Të mbushen sytë me lot mallëngjimi kur dëgjon neologjizmat e tyre si “elakuencë” apo “krenarizohem”. Ndërkohë mjeshtra si Veqilharxhi apo Frashëri, që na shohin nga larg, me siguri ndihen krenarë për trashigiminë gjuhësore që na kanë lënë. Po fundja ç’rëndësi ka gjuha kur “ti je vetvetja dhe e ‘shpreve” mendimin si të erdhi”.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy