Profesori i shkencave politike Medlir Mema foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi draftin e diasporës për votën e emigrantëve. Ai thekson se nëse diaspora nuk do të votojë deri në 2025-ën zgjedhjet do të jenë të kompromentuara dhe do të denoncohen si të paligjshme. Mema thotë se mes partive në Shqipëri ka dyshime ndaj njëri-tjetrit në këtë drejtim, ndërsa thekson se ky draft është vetëm “fjala e parë” dhe jo e fundit.
“Ka pasur diskutime të gjata gjatë dy viteve të kaluara. Ka një lloj dëshire për të lëvizur përpara. Forcat politike kanë dyshime ndaj njëri tjetrit. Ne shpresojmë të zbatohet diçka e tillë. Nëpërmjet shpalosjes së këtij pr.ligji po mundohemi ta bëjmë këtë rrugë më të lehtë dhe më të shpejtë. Kjo nuk është fjala e fundit, është e para. Është e detyrueshme me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese kjo e drejtë. Emigrantët përbëjnë një popullsi shumë fluide që lëviz brenda dhe jashtë Shqipërisë, sipas nevojave arsimore, profesionale dhe familjare. Në këtë kontekst është e detyrueshme që shteti shqiptar ta mundësojë. Gjykata Kushtetuese ka nënvizuar cenimin e të drejtën e qytetarëve shqiptarë. Nëse edhe në 2025-ën nuk ka ndodhur, ato zgjedhje janë të kompromentuara, dhe hapi ynë i mëtjeshëm do jetë denoncimi i zgjedhjeve si të paligjshëm, sepse nuk marrin parasysh Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Është shumë e lehtë që diçka e tillë të mundësohet. Mërgata shqiptare është shumë e re, e 20-30 viteve të fundit dhe që kryesisht gjendet përqark shtetit shqiptar. Në kushtet aktuale, flasim për një marrëdhënie të vazhdueshme dhe të qëndrueshme mes popullsisë jashtë dhe brenda. I kemi provuar në këto 30 vite të gjitha marifetet në lidhje me ndërtimin e një shteti të mirëqenë në Shqipëri, atë që s’kemi provuar është ndikimin dhe kontributin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Ky do jetë një prej ndikimeve kryesore të diasporës. Do të jenë partitë politike që do reagojnë ndaj kërkesave të drejta të qytetarëve jashtë Shqipërisë”, shprehet Mema.
Medlir Mema thotë se preferenca është për votimin përmes postës dhe jo atë elektronik, që paraqet shqetësime në aspekt të sigurisë. Ai shton se deri më tani po luftohet për votimin në zgjedhjet qendrore dhe jo ato vendore.
“Kjo është fjala e parë, ne nuk kemi vija të kuqe, përveç të drejtës për të votuar. Vota elektronike ka shumë shqetësime në aspekt të sigurisë. Kjo nuk frymëzon shumë besimin e votuesve shqiptarë, ka pasur probleme edhe në programet pilot në Shqipëri. Preferenca jonë është që votimi të bëhet përmes postës, një poste speciale, Kosova e bën diçka të tillë. Elementi i dytë është që në vend që të ketë vende të caktuara për diasporën, argumenti ynë është që kjo e hollon influencën e diasporës, sepse 4 nuk përfaqësojnë 1,5 milionë votues. Tani për tani po luftojmë për zgjedhjet qendrore, ku argumenti është më i qartë dhe më i mbrojtshëm. Politikat vendore janë të një natyre tjetër. Ne këmbëngulim për të votuar në zgjedhjet qendrore dhe s’kemi bërë një argument të njëjtë për zgjedhjet vendore”, vijon ai.



