Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e ditës së djeshme në lagjen Nr.13 në Durrës, te Shkëmbi i Kavajës. Rrëzohet aksidentalisht nga kati i shtatë i pallatit dhe vdes tragjikisht ish-ministri i Rendit.
Policia e Durrësit bën me dije se viktima eshte Vladimir Hysi, 65 vjeç, banues në Tiranë, dhe është rrëzuar aksidentalisht nga kati i shtatë i një pallati e për pasojë ka ndërruar jetë.
Vladimir Hysi ne Dhjetor 91 deri ne Prill 92 ka mbajtur postin e Ministrit të Rendit Publik.
Viktima ka qenë në banesën e motrës së tij, dhe kishte hipur te ballkoni në një palë shkallë, për të prerë degët e palmave të mbjella në një vazo. Ai ka humbur ekuilibrin e për pasojë është rrëzuar në tokë, çka ka rezultuar një përplasje fatale për të. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim, si ngjarje aksidentale.



