Ish-kryeministri i Greqisë, Lucas Papademos, është plagosur pasi mori një zarf me lëndë eksplozive.
Shpërthimi ndodhi ndërsa Papademos e hapi zarfin në makinë.
Zona ku ndodhi shpërthimi, fare pranë sheshit ‘Omonia’, u bllokua që në momentin e parë nga policia. Ekspertë të shërbimit antiterror po “krehin” një rreze të gjerë, për të gjetur shenja që do t’i ndihmojnë në zbardhjen e atentatit.
Sipas burimeve të shtypit, edhe pse zarfi kishte kaluar në dy kontrolle sigurie, nuk kishte rezultuar i dyshimtë.
Ndërsa vlerësimet e para sugjerojnë se zarfi bombë ka ngjashmëri me ato që u dërguan dy muaj më parë, në zyrën e ministrit gjerman të financave, Ëolfgang Schauble dhe në selinë e misionit të FMN-së në Paris.
Atëherë përgjegjësinë e kishte marrë organizata guerrile greke, Komploti i Celulave të Zjarrit.
Ende nuk ka një marrje përgjegjësie për atentatin ndaj ish kryeministrit Papademos.



