
Venezuela ka nisur një hetim penal ndaj figurave të opozitës të mbështetur nga Perëndimi, Edmundo Gonzalez dhe Maria Corina Machado, pasi ata u bënë thirrje forcave të armatosura të braktisin mbështetjen e tyre për presidentin Nicolas Maduro.
Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës më 28 korrik shpalli Maduron fitues të zgjedhjeve presidenciale të vendit.
Të premten, autoritetet venezueliane ratifikuan fitoren e Maduros pasi numërimi përfundimtar i votave zbuloi se ai kishte fituar 52% të votave, krahasuar me 43% për rivalin kryesor Gonzalez.
Opozita kundërshtoi fitoren e Maduros dhe shpalli Gonzalez-in si “president të zgjedhur”, duke u bërë gjithashtu thirrje forcave të sigurisë të vendit të "qëndrojnë pranë popullit" dhe të protestojnë për rezultatin.
Gonzalez dhe Machado "shpallën në mënyrë të rreme një fitues të zgjedhjeve presidenciale, përveç atij të shpallur nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor, i vetmi organ i kualifikuar për ta bërë këtë," tha në një deklaratë të hënën prokurori i lartë i Venezuelës, Tarek William Saab.
Ish-kandidati për president dhe aleatët e tij kanë nxitur hapur “zyrtarët policorë dhe ushtarakë që të mos u binden ligjeve” duke përhapur informacione të rreme, shtohet në deklaratë.
Prokurori i Përgjithshëm tha se Gonzalez dhe Machado do të hetohen për "kryerjen e dyshuar të krimeve të uzurpimit të funksioneve, shpërndarjen e informacionit të rremë për të shkaktuar trazira, nxitje për të mos iu bindur ligjit, nxitje për kryengritje, shoqërim për të kryer krime dhe komplot".



