
Bashkitë e opozitës nuk tërhiqen e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit në territorin e tyre. Në një letër drejtuar KQZ-së, ato kërkojnë që të lirohen të gjitha ambientet për aktivitetet e qytetarëve nga 27 qershor deri në korrik, në të kundërt, materialet e paligjshme të KQZ-së do të asgjësohen.
Duke i konsideruar të paligjshme vendimet e KQZ-së, pasi njohin dekretin presidencial për anulimin e zgjedhjeve, bashkitë e djathta theksojnë se do të marrin nën administrim ambientet në pronësinë e tyre, të zëna nga komisionet e administrimit zonal dhe grupet e numërimit.
“Ju bëjmë me dije se ne jemi të vendosur qё të marrim nën administrim ambientet, ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim, pavarësisht pengesave të paligjshme që na janë krijuar nga Policia e Shtetit në të shkuarën”, thuhet në shkresën e bashkive të opozitës.
Kryebashkiakët e opozitës thonë në letër se në datat 27 qershor - 2 korrik, ambientet që ishin vënë në dispozicion për zgjedhjet, përpara shfuqizimit të datës 30 qershor nga Presidenti, do të jenë në dispozicion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare.
Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, kryebashkiakët njoftojnë KQZ-në se kanë shfuqizuar aktet me të cilat kanë dërguar listën e zgjedhësve pranë KZAZ-ve, si dhe aktet për vendet e qendrave të votimit në bashkitë e tyre, ku nuk do të lejohet vendosja e asnjë material zgjedhor, si dhe aket e propozimit për qendrat e votimit në ambjentet private.
“Këtë njoftim po e bëjmë për efekt të detyrimit që ju keni për të mos çuar dëm materialet zgjedhore, sepse zaptimi i ambienteve tona me material, që nuk janë të autorizuara nga ne të futen brenda, do të shkaktojë asgjesimin e tyre të menjëhershëm, në funksion të lirimit të ambienteve, për realizimin e aktiviteteve të qytetarëve”, thuhet në shkresën e kryebashkiakëve.



