
Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyr arsenalin bërthamor të Amerikës, kërkoi falje për një postim në Tuiter që tha se ishte gati "të hedhë diçka shumë, shumë më të madhe" se topi që bie në natën e Vitit të Ri në "Times Square" të Nju Jorkut.
Mesazhi, i postuar natën e Vitit të Ri, u shoqërua me një video që tregonte një bombardues B-2 duke hedhur armë.
Komanda Strategjike më vonë e fshiu postimin, duke thënë se ai ka pasur "shije të keqe" dhe e ka zëvendësuar me kërkim falje.
"Ne jemi të përkushtuar për sigurinë e Amerikës dhe të aleatëve", tha Komanda Strategjike.
Megjithatë incidenti nxiti zemërim online.
Në sheshin e Nju Jorkut çdo vit hidhet një top nga një rrokaqiell për të shënuar fillimin e vitit të ri.
Tradita ka nisur që në vitin 1907 me një top të ndezur me shkëlqim që zbret nga 43 metra në 60 sekonda para mesnatës, duke u ndalur në fillimin e vitit të ri, shkruan BBC.
Komanda Strategjike e SHBA është një nga 10 komandat e unifikuar në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA. Ajo është e vendosur në bazën e Forcave Ajrore të Offutt në Nebraska.
Slogani i komandës është "Paqja është profesioni ynë", i cili gjithashtu u përdor në formën hashtag në cicërimën kontradiktore.



