Një fëmijë i moshës 6 vjeç ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në spitalin e Lushnjës. Fëmija kishte arritur në spital rreth orës 14:00 të ditës së djeshme me autoambulancë, nga qendra shëndetësore e Divjakës.
Sipas informacioneve nga drejtori i spitalit, fëmija ishte mjekuar në kushte shtëpie për rreth gjashtë ditë, pasi prindërit ishin të divorcuar dhe ai përkujdesej nga gjyshi.
Pas vlerësimit të gjendjes së rënduar, fëmija ishte dërguar në Qendrën Shëndetësore të Divjakës dhe më pas në spitalin e Lushnjës.
Menjëherë, stafi i mjekëve të pediatrisë ka ndjekur protokollin mjekësor, duke kryer analiza dhe procedura të nevojshme. Sipas drejtorisë së Spitalit të Lushnjës, fëmija vuante nga bronkopneumonia bilaterale. Pavarësisht përpjekjeve për të ofruar ndihmë mjekësore, gjendja e tij ishte shumë e rënduar, dhe stafi mjekësor vendosi ta dërgojnë për trajtim më të specializuar në Tiranë.
Fëmija ka humbur jetën menjëherë sapo ka hipur në autoambulancë, nga një arrest kardiak i shkaktuar nga sëmundja e mëparshme.
Në momentet e fundit, pranë fëmijës ishin të pranishëm mamaja dhe gjyshi i tij, të cilët nuk kanë pranuar kryerjen e autopsisë dhe kanë vendosur ta çojnë trupin e tij në shtëpi për të bërë nderimet e fundit.
Drejtoria e Spitalit të Lushnjës ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë sqarime shtesë për këtë rast.
Po ashtu, policia e Lushnjës ka kryer procedurat përkatëse dhe ka dërguar materialet në Prokurori për të vlerësuar rastin e vdekjes së fëmijës 6-vjeçar.



