Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural deklaron se programi i mbështetjes nga IPARD nuk është ndërprerë. Më herët gazetari Klodian Tomorri bëri me dije se BE ka pezulluar fondet e bujqësisë për Shqipërinë për shkak të korrupsionit dhe ka një hetim nga zyra anti-korrupsion e BE që prej vitit 2021. Ndërkaq në reagimin e ministrisë thuhet se kemi të bëjmë me një proces administrative, ku riverifikohen sistemet e kontrollit nga strukturat e akrediruara, me qëllim vijimin normal të rumbursimit nga BE. “Nisur nga disa publikime mediatike sqarojmë publikun, por sidomos fermerët dhe agropërpunuesit në lidhje me procesin e mbështetjes nga programi IPARD: Programi i mbështetjes nuk është ndërprerë. Puna vazhdon, programi vazhdon. Autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni të një pezullimi të faturës aktuale të rimbursimit nga DG AGRI për një pjesë të shpenzimeve te radhës. Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Këto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara”, thuhet në deklaratë.



