Bisedoi, Reldar Dedaj
Tre psikoterapistë shqiptarë, anëtarë të UKAMS, kanë nisur një projekt vullnetar me qëllim për t’i ofruar personelit shëndetësor që është infektuar nga Covid-19 në Shqipëri, mbështetje psikologjike që sipas tyre meriton çdo profesionist që sëmurët në krye të detyrës.
Në lidhje me këtë projekt dhe për të mësuar diçka më tepër rreth tij, TVT.al ka intervistuar një nga anëtarët e këtij grupi psikoterapistësh, e cila quhet Rainela Xhemollari, e specializuar për terapi familjare dhe që aktualisht punon në Camden & Islington NHS Trust në Londër.
Xhemollari tregon përmes kësaj interviste se shërbime të tilla janë bërë tashmë praktikë pune në mbarë botën pasi studimet specifike kanë treguar se dëmtimi në ambientin e punës, sado afatshkurtër të jetë në pasojat fizike, mund të lërë pasoja afatgjata për profesionistët.
Ajo thekson se pavarësisht se s’mund të jenë në pavion me bluzat e bardha, por për të gjithë ata punonjës të shëndetësisë të cilët janë infektuar me Covid-19, bën me dije, se ata janë këtu dhe kanë aftësitë t’i ndihmojnë për të evituar pasojat afatgjata të kësaj ngjarjeje në jetën e tyre profesionale.
A mund të n’a thoni disa detaje se çfarë është ky projekt vullnetar që ju, së bashku me kolegë të tjerë, keni nisur për t’iu ardhur në ndihmë personelit mjekësor të infektuar me Covid-19?
Projekti i ofron mbështetje psikologjike mjekëve dhe infermierëve të infektuar gjatë përkujdesjes së dhënë për pacientët me Covid-19. Detajet e projektit janë që tre Psikoterapistë shqiptarë do të vejnë në dispozicion seanca on-line në orare të ndryshme gjatë javës. Në këto seanca do përdoret si platformë komunikimi Zoom ose tjetër aplikacion në vartësi të preferencës së punonjësit që e përdor këtë shërbim.
Mjekët mund të na kontaktojnë nëpërmjet detajeve të kontaktit që do të publikohen brenda këtyre ditëve bashkë me oraret e disponueshme dhe të kërkojnë një seancë on-line. Çdo gjë që thuhet në këtë seancë ndjek rregullat universale të profesionit tonë mbi privatësinë e komunikimit, të tilla rregulla kërkohen edhe nga autoritetet që na kane licensuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Në kushtet e karantinimit, a keni menduar se si do realizohet ky projekt, me çfarë mjetesh dhe mbi të gjitha sa efikas do të jetë ai?
Për sa i përket efikasitetit, të gjitha insititucionet profesionale të psikotërapisë gjatë javëve të fundit kanë publikuar udhëzime mbi mënyren se si duhen zhvilluar seancat on-line nga specialistët e shëndetit mendor. Ne kemi marrë trajnimet përkatëse për të rritur efikasitetin. Qëllimi i këtyre seancave është t'i ofrojnë dikujt një ambient ku mund të shprehë shqetësime apo mendime private, të marri këshilla për përballimin e stresit dhe të rigjejë një ekuilibër midis asaj se çfarë ndjen dhe realitetit që e rrethon. Një përshkrim minimal ky, sigurisht.
Duhet t’u përmend këtu punonjësve të shëndetësisë se kolegët e tyre në mbarë botën në vendet e punës ku janë e kanë si praktikë pune të flasin në telefon me një specialist të fushës së psikologjisë (Employee Hotline) kur e ndjejnë të nevojshme. Kolegët e tyre në botë e marrin dhe e shfrytëzojnë sa munden këtë mundësi për të folur me dikë që është i trajnuar të dëgjojë dhe sipas rastit të këshillojë. Theksoj për të interesuarit se ky është një komunikim ndryshe nga ai që keni me miqtë apo të afërmit dhe ka për qëllim të minimizojë stresin.
Si një grup psikoterapistësh, ju mendoni se infektimi me Covid-19 mund të lejë pasoja afatgjata psikologjike tek të infektuarit?
Për sa i përket kësaj pyetjeje nuk ekzistojnë ende studimet përkatëse për këtë analizë për popullatën e gjerë. Gjithsesi dëmtimi në detyrë në përgjithësi është studiuar dhe evidentuar si shkak i mundshëm pasojash psikologjike afatgjata për profesionistin (mund të shikoni rastet e policëve të dëmtuar në incidente apo të mjekëve që u infektuan nga Ebola).
Në shumicën e rasteve shqetësimi dhe stresi do të jenë afatshkurtër, por për ata që infektohen edhe vetë duhet krijuar një ambient ku mund të shprehin shqetësimet e tyre për të evituar mundësitë e stresit dhe emocionet e tjera të bëhen mënyrë jetese për profesionistin. Mos harrojmë që një mjek del nga puna këto ditë dhe kthehet në rrugët e qytetit që i kujtojnë Pandeminë, në ambientin që e rrethon të gjithë i bëjnë pyetje, i kërkojnë këshilla, kërkojnë një shpresë prej mjekut. Me pak fjalë nuk arrin as një moment të dali nga roli i punës. Në momentin që infektohet edhe vetë dhe nuk ndihmon dot më, kjo situatë ka fuqinë të influencojë e të minimizojë rezistencën dhe forcën psikologjike që natyrshëm secili prej nesh ka. Duke i ftuar mjekët në një ambient tërësisht privat e konfidencial, i japim hapësirë dhembjes të shprehet, por edhe i japim një tjetër mundësi profesionistëve për një ripërtëritjeje emocionale sa më të shpejtë. Nuk duhet harruar se këta mjekë e infermierë janë të njejtët ata që pritet t’i shërbejnë shoqërisë edhe në të ardhmen dhe mirëqenia e tyre është mirëqenia e mbarë vendit.
Çfarë do i këshillonit ju bluzat e bardha dhe jo vetëm ato, që sot po përballen në vijën e parë të luftës kundër Covid-19.
Së pari i falenderoj që me punën e tyre mbajnë gjallë shpresat e të gjithë popullatës. Mjekët në çdo kohë, jo vetëm sot, përballen me luftën kundër një sëmundjeje dhe përpos përpjekjeve mbinjerëzore, rezultatet nuk vijnë siç do të donin ata, me apo pa Covid-19. Kjo nuk është diçka e re për mjekët apo infermierët. Unë besoj se me shumë se këshilla mjeku ka nevojë sot për respekt dhe hapësirë, hapësirë kjo që i nevojitet si në vendimarrje dhe për qetësi.
Në kundërshtim me shumë profesione të tjera situatat e paparashikueshme janë një normalitet për mjekët. Por, ajo që po ndodh në këtë situatë krize masive është që të gjithë ne si njerëz përjetojmë nivele ankthi më të larta se zakonisht dhe nuk arrijmë të rikthejmë në mendje mendime vetbesimi apo optimizmi, ose më thjesht e kemi të vështirë të kujtojmë ato histori të jetës kur ia kemi dalë mbanë. Si profesionist duhet të jemi vigjilentë për sa marrim mbi vete nga tensionet dhe streset kolektive të shoqërisë sepse nuk mund të jemi efikas duke qenë të ngarkuar emocionalisht. Gjithmonë ekuilibri i artë gjendet tek momenti aktual, e vetmja kohë që na përket është e tashmja, përqëndrimi në të tashmen na bën më efikas dhe na çliron shumë emocionalisht.
Fatkeqësisht, situata përreth duke përfshirë realitetin që përcillet nga mediat është një situatë që e mban njeriun në një gjendje preokupimi të vazhdueshëm për shifrat e viktimave të ditës së kaluar dhe frikën për ditët e ardhshme. Unë këtu punoj krahas mjekëve dhe si kolegë do t'u sugjeroja sapo të munden të kenë pak kohë të lirë t’a përdorin për qetësi dhe asnjë bisedë mbi situatën. Në ambientin e punës situata globale e shkaktuar nga Covid-19 diskutohet jo pak dhe kjo është e paevitueshme, por është e rëndësishme që si cilido edhe profesionistit të shëndetësisë t’i lejohet privatësi dhe ato pak momente qetësie të mundshme.
Marr shkas t'u drejtohem punonjësve të shëndetësisë që janë infektuar nga Covid-19 përgjatë kësaj pandemie të na kontaktojnë, qoftë edhe për të na pyetur për diçka apo për të kërkuar një sqarim mbi menaxhimin e një situate. Ne jemi këtu për ju dhe kemi përvojën e duhur për t'ju mbështetur. Projekti është vullnetar, krejtësisht falas./TVT.al/



