Kryedemokrati Lulzim Basha, ia ka bërë të qartë Sali Berishës dhe të gjithë kundërshtarëve të tij që Kuvend të Partisë Demokratike për të shqyrtuar vendimin për përjashtimin e Berishës nuk do të ketë.
Në një prononcim për gazetarët në selinë blu, ai ka thënë se Kuvendi i PD nuk mund të shqyrtojë vendimet e amerikanëve.
Sa i përket akuzave të Berishës për pazare me Edi Ramën për ndryshimet kushtetuese, Basha deklaroi se ai nuk do të ndodhë kurrë që të jetë peng i kryeministrit.
Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje. Partia Demokratike po ecën përpara, Partia Demokratike do t’i prijë betejës popullore për ndryshim që vjen vetëm përmes largimit të këtij regjimi. Ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i çdo demokrati, ky është misioni im dhe këtij do t’i qëndroj me përkushtim deri në arritjen e objektivave. Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur. Nuk ka për të pasur kuvend të PD, që shqyrton vendimin e qeverisë së SHBA.



