
Kongresmeni republikan, Lee Zeldin, ka kërkuar informacion nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha, non grata. Lidhur me këtë, ai i ka dërguar letër komisionit të ligjeve në DASH.
Lee Zeldin i kërkoi Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinkenit informacione specifike për vendimin ndaj Berishës, duke e cilësuar Berishën si aleat të George Bush dhe kundërshtar të George Soros.
Ai ka theksuar se ka bërë dhe vetë hulumtime, por s’ka gjetur se në çfarë afere korruptive mund të ishte përfshirë politikani shqiptar.
Blinken, nga ana tjetër theksoi se procesi u zhvillua normalisht, përfshirë avokatët e tij.
Ai ka sqaruar se momentalisht nuk mund të ndajë asgjë me kongresmenin për këtë çështje, por nëse ai kërkon më shumë informacion mund të paraqitet në Zyrën e Legjislacionit apo në Zyrën e Zëdhënësit për Çështjet Publike.
Sipas sekretarit amerikan, procedurat për t’ia ndaluar Sali Berishës hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zhvilluar në një proces normal.
“SHBA-ja vijon të shohë përtej kufijve për ata persona të përfshirë në korrupsion që sfidojnë parimet e demokracisë”.




