Irani nuk e furnizoi Rusinë me raketa balistike, përkundër asaj që pretendojnë "të varurit nga sanksionet" në Perëndim, ka thënë ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi. Të martën, SHBA dhe aleatët e saj sanksionuan linjën ajrore kombëtare të Iranit lidhur me dërgesat e supozuara të raketave në Moskë.
SHBA njoftoi masat kundër "Iran Air" dhe një sërë kompanish transportuese iraniane dhe ruse pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken akuzoi entitetet për transportimin e raketave balistike me rreze të shkurtër Fath-360 në Rusi.
Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania ndoqën shembullin duke anuluar marrëveshjet dypalëshe që lejonin "Iran Air" të hynte në hapësirën e tyre ajrore dhe duke sanksionuar kompanitë, anijet dhe individët rusë dhe iranianë që dyshohet se janë të përfshirë në tregtinë e raketave.
Në një postim në X të mërkurën, Araghchi tha se SHBA dhe aleatët e saj po vepronin "në bazë të inteligjencës së rreme dhe logjikës së rreme".
“Irani nuk i ka dorëzuar Rusisë raketa balistike.”, ka shkruar ai. “Të varurit nga sanksionet duhet të pyesin veten: si është në gjendje Irani të prodhojë dhe gjoja të shesë armë të sofistikuara?”
“Sanksionet nuk janë zgjidhja, por pjesë e problemit,” përfundoi ai.
SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, me listën e zezë ekonomike të Uashingtonit që tani përfshin rreth 5000 individë dhe subjekte iraniane. Këto sanksione nuk e kanë penguar Iranin të zhvillojë një industri të lulëzuar të armëve vendase.



