Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me tensionet pranë selisë së Partisë Demokratike, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës dhe duke sqaruar se ndërhyrja me gaz lotsjellës erdhi si pasojë e sulmeve të dhunshme ndaj forcave të rendit.
Sipas autoriteteve, trupat policore në terren u përballën me akte dhune nga persona të paidentifikuar, të cilët përdorën selinë e opozitës si mburojë.
Më tej, në reagim specifikohet se personat përgjegjës tentuan t'i shpëtonin forcave të rendit duke u fshehur në territorin e selisë blu, nga ku vijuan të godisnin efektivët. Përballë kësaj situate, Policia ka justifikuar përdorimin e mjeteve të kontrollit të turmave si një kundërpërgjigje të domosdoshme ndaj sulmeve me lëndë djegëse.
Reagim i Policisë së Shtetit
Nga patrullimet në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, sqarojmë se: Shërbimet e Policisë janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të dhunshëm dhe të maskuar, të cilët, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e Policisë, u futën në ambientet e jashtme të selisë së subjektit politik Partia Demokratike dhe vijuan sulmin ndaj punonjësve të Policisë.
Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës. Të gjitha pretendimet e tjera janë të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës.



