
Zjarri në ishullin e Rodos në Greqi ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa flakët kanë hyrë në ditën e gjashtë të tyre. Zjarrfikësit po “luftojnë” me flakët në tre fronte, me synim kufizimin e përhapjes. Situata paraqitet më kritike në zonën e Kiotari në jugperëndim të Gennadit, ndërsa në Apollon ka shpërthime të vazhdueshme ku forcat zjarrfikëse po bëjnë një përpjekje të madhe për të parandaluar përhapjen e tij më në veri drejt pyllit të dendur. Në lindje të liqenit artificial Gadoura po zhvillohet një betejë në mënyrë që flakët të mos përhapen në Kalathos. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 10 avionë dhe pesë helikopterë, 7 grekë, 1 kroat dhe 2 turq. Ndërsa në forcat tokësore janë 266 zjarrfikës me 16 ekipe këmbësorie si dhe 49 mjete ujore. Nga pamjet e transmetuara në mediat greke, duket se zjarri i mëngjesit të së dielës vijon shkatërrimin e zjarrtë në fshatin Kiotari, ku banorët tentojnë të kufizojnë përhapjen përkrah me zjarrfikësit. Një ringjallje e furishme e flakëve u vu re edhe në fshatin Asklipieio, midis Laermës dhe Kiotarit. Në Laerma Rodos, zjarri dogji magazina dhe flakët rrethuan kishën e fshatit. Ndërkohë në plazhet e ishullit pati momente tronditëse ku mijëra banorë dhe turistë u larguan për t’i shpëtuar zjarrit. Nga videot dramatike që qarkullojnë në rrjetet sociale në mbarë botën, tregojnë zjarrfikësit grekë që u bëjnë thirrje turistëve të lënë sendet e tyre personale dhe të hipin në automjetet me ta për të shpëtuar jetën e tyre. Me mijëra turistë janë evakuuar duke u dërguar në palestra dhe shkolla, teksa situata paraqitet tejet kritike.



