
Këngëtarja shqiptaro-amerikane Enisa, e lindur në Brooklyn nga prindër me origjinë nga Tuzi, tregoi në një video të publikuar për ditëlindjen e saj të 30-të se për tre dekada ka zgjedhur të mbetet e virgjër.
Deklarata e saj u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta dhe të ndara mes publikut.
Psikologia Bona Miekley, e ftuar në emisionin Zgjohu me MCN, u shpreh se fakti që një grua e suksesshme në industrinë muzikore ndan publikisht një detaj kaq intim ngre pyetje rreth pritshmërive që shoqëria vendos mbi jetën personale të grave.
Sipas saj, kjo është një zgjedhje personale dhe nuk duhet gjykuar.
Është normale që tema të tilla të diskutohen, sidomos me adoleshentët, pasi është e shëndetshme që të rinjtë të kuptojnë zhvillimin e tyre fizik, emocional dhe social.
Kur bëhen komente për çështje të tilla, duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë për një zgjedhje personale. Kur një person ndan diçka kaq intime, normalisht lind pyetja se për çfarë qëllimi e bën.
Sot ka shumë njerëz që në privatësinë e tyre zgjedhin të mos kenë marrëdhënie romantike apo seksuale për një periudhë të jetës, shpesh sepse janë të fokusuar në karrierë dhe arsimim dhe nuk duan shpërqendrime.
Ndërkohë, për DJ-në Mondi Marku, rrëfimi i Enisës është parë si një thyerje tabuje, por jo domosdoshmërisht një shembull i mirë për t’u ndjekur.
Deklarata bëri bujë të madhe pikërisht sepse prek një temë që ende konsiderohet tabu në shoqëri.
Unë vetë kam vajzë dhe nuk do t’i thosha asaj të mos ketë lidhje deri në moshën 30-vjeçare.
Mendoj se në çështje të tilla intime rolin kryesor e ka nëna, e cila duhet ta udhëzojë vajzën që në moshë të re. Është e rëndësishme që të rinjtë të krijojnë përvojat e tyre në jetë. Mesazhi i dhënë nga këngëtarja nuk është domosdoshmërisht shembulli më i mirë për të rinjtë.



