Duket si një skenar filmi, por është një ngjarje e ndodhur pikërisht dje në periferi të Tiranës. Një grua që jeton në fshatin Pinet të Ndroqit ka inskenuar një grabitje në shtëpinë e saj, për t’i tërhequr vëmendjen bashkëshortit.
Ajo ka thënë se një person kishte hyrë në shtëpinë e tyre, kishte marrë paratë dhe e kishte lidhur, por hetimet e policisë pas denoncimit zbuluan se e vërteta qëndronte ndryshe nga sa pretendonte gruaja.
Njoftimi i policisë
Më datë 22.10.2016, rreth orës 04:40, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një njoftim se në fshatin Pinet, Ndroq, në banesën e shtetasit I. Azuni dyshohet se ka hyrë një person për të vjedhur, i cili duke përfituar se i zoti i banesës ishte larguar ka lidhur të shoqen shtetasen Dalina Azuni dhe më pas ka marrë në banesë shumën prej 65.000 lekësh.
Menjëherë në adresën e dhënë janë dërguar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, të cilët kanë filluar kontrollin e territorit dhe mbledhjen e informacioneve për autorët e mundshëm të kësaj ngjarje. Nga informacionet e marra është mësuar se bashkëshortët Azuni, prej disa kohësh nuk kishin një mardhënie të mirë me njëri tjetrin. Duke qenë përpara këtyre fakteve specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 6, kanë filluar hetimin në drejtim të një kallzimi të rremë dhe nga ku kanë arritur të faktojnë se: Pas largimit të bashkëshortit të saj, shtetësja Dalina Azuni, dyshohet t’i ketë fshehur në një nga dhomat e tjera shumën e lekëve (të cilat u gjetën nga kontrolli i ushtruar nga Specialistet e Policisë pas dyshimeve), më pas ka hapur dritaren e banesës dhe dyshohet se ka lajmĕruar familjarët që dikush kishte hyrë në banesë. Kur kanë shkuar familjarët e kanë konstatuar të lidhur në banesë këtë shtetase.
Nga intervistimi paraprak , shtetësja Dalina Azuni, pranon se i ka bërë këto veprime vetëm për të tërhequr vëmendjen e të shoqit pasi kishte vënë re që kohët e fundit nuk kishin komunikim dhe kishte mosmarreveshje mes tyre. Duke qenë përpara këtyre fakteve, specialistët e Komisariatit të Policisë nr 6, kanë bërë arrestimin e shtetases Dalina Azuni, 29 vjeçe, banuese në Tiranë.



