Në emisionin “Fol” të gazetarit Erjon Skëndaj u trajtua sot problematika e fabrikës së gazit që i përket kompanisë “Alba Cosmetics”, e cila është vendosur pranë zonës së banuar në Portoromano, duke u kthyer në një makth për banorët. Duke folur për MCN Tv banorët thonë se ka pasur dy raste të rrjedhjes së gazit dhe nuk është vënë në lëvizje drejtësia.
Ndonëse ata i janë drejtuar me peticion qeverisë që fabrika të zhvendoset larg zonës së banuar, nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Televizioni MCN Tv iu drejtua kompanisë “Alba Cosmetics” dhe Ministrisë së Mjedisit për të marrë zërin e tyre lidhur me rastin, por nuk ka marrë përgjigje. Qeveria ka heshtur ndërsa kompania ka thënë se do prononcohet një moment të dytë, por ky moment nuk ka ardhur.
Njëri prej banorëve të vjetër në zonë thotë se në total do të vijnë 20 bombola gazi, ndërsa rrëfen dy rastet kur banorët janë evakuuar.
Jetoj këtu që në vitin 1995, nuk pati fabrikë fare, më vonë erdhi fabrika e lëkurës. Problemet kanë filluar këto vitet e fundit. Në 2018 ka prurë bombolat, ka përgatitur shtratin për 20 bombola. Deri tani kanë ardhur 9, do vijnë edhe të tjera. Këto ditë ka plasur gazi. Këtu brenda plasi flakë. Banorët kanë ikur me makina larg dhe janë evakuuar. Radha e dytë ka qenë afër shkollës. Edhe atëherë janë evakuuar. Në rrugën kryesore është dëgjuar zhurma e gazit derisa është shpenzuar boti. Era ishte mbytëse komplet”
Një tjetër banor thekson se në këtë vend ligjet zbatohen vetëm për të varfrit, por jo për të pasurit.
Shtëpinë e kam 500 metër prej këtu, më erdhi erë gazi në oborrin tim. Kur dola në oborr pashë tym edhe flakë që shkonte mbi 200 metër larg. Ishte tym e flakë, flaka shkonte rreth 200 metra larg. Shokët më morën në telefon hajde urgjent se këtu mund të ndodhë një katastrofë. Është një rrezik i jashtëzakonshëm. Këtu duhet të rrish natë-ditë sa të mbyllet kjo fabrikë. Kemi lajmëruar komunë, bashki, deri më sot s’ka ardhur askush të takohet me ne dhe kanë ndenjur veshshurdhër. Nëse do kishte ligje për këtë vend…Ligje ka vetëm për të varfrin, jo për të pasurin në këtë shtet. Kësaj fabrike duhet t’i vinte policia litarin, të nxirrte ata punëtorët që janë në rrezik, Prokuroria të vinte këtu. Këta janë për burg. Kjo është një fabrikë mashtrimi, korrupsioni, krimi, mbi banorët e Portoromonës dhe gjithë Durrësit”.
Një tjetër banor shprehet:
Katër nga cisternat janë brenda, nuk duken. Patjetër që pati panik në fshat. Familjet morën kalamajt dhe u larguan me shpejtësi sepse ishte tronditje e madhe. Policia erdhi këtu edhe e bllokuan për pak kohë, sa mbaroi flaka edhe mbrapa ikën. Duhet të kishin vendosur shiritin edhe të kishte institucione të tjera që duhet të merreshin me atë punë”.
Ndërkaq ka shqetësim edhe mbi 700 fëmijët që ndjekin shkollën pranë zonës së banuar. Lidhur me këtë çështje një banor thotë:
Shkolla ka mbi 700 nxënës. Ne jemi në mes të atomit. Kur dolën kalamajtë para dhe më thanë që jemi shumë të frikësuar nga rrjedhja e gazit dhe shpërthimi, ishte disfatë shumë e madhe”.



