Situata në protestën që po zhvillohet në kryeqytet është tensionuar ndjeshëm gjatë minutave të fundit, duke degraduar në përplasje mes forcave të rendit dhe prtestuesve.
Gazetari Redi Perlekaj, ka raportuar drejtpërdrejt nga terreni mbi lëvizjet e fundit të masës së njerëzve dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për të shpërndarë protestuesit përmes mjeteve të rrepta.
Sipas tij, pas disa orësh qetësie, situata ka eskaluar fillimisht pranë selisë së qeverisë, çka ka sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të forcave të policisë.
Aktualisht protestuesit janë te Sheshi Skënderbej. Para pak minutash ka pasur përplasje mes policisë dhe protestuesve, ku këta të fundit kanë hedhur ujë dhe gaz lotsjellës. Një pjesë e protestuesve ndodhet në afërsi të librarisë ‘Adrion’, ndërsa policia është pozicionuar te Teatri i Kukullave. Forcat e policisë janë duke patrulluar në disa rrugë të Tiranës në ndjekje të protestuesve, kjo pas nisjes së tensionit ku protestuesit nisën të godisnin me gurë godinën e Kryeministrisë pas orëve të tëra qetësie. Kjo ka sjellë dhe ndjekjen e tyre nga ana e policisë duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës. Protestuesit tashmë janë të shpërndarë; disa ndodhen në Sheshin Skënderbej, disa në zona të ndryshme të Tiranës dhe një pjesë tjetër vazhdon të qëndrojë te Kryeministria.
Deri më tani, forcat e rendit po vazhdojnë monitorimin e rrugëve dytësore për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërsa mbetet e paqartë nëse ka të lënduar apo të shoqëruar nga ky qëndresë e dhunshme.



