
Policia në mëngjes herët në orën 4:35 ka mësyrë në Teatrin Kombëtar dhe ka filluar shembjen. Fadromat kanë nisur prishjen e Teatrit, kurse protestuesit aty kanë kundërshtuar me forcë.
Policia ka shoqëruar në komisariat personat: Astrit Qerima, Artan Manushaqe, Neritan Licaj, Monika Kryemadhi, këtë të fundit e kanë tërhequr zvarrë forcat policore.
Është prishur pjesa ballore e Teatrit Eksperimental.
Robert Budina, i cili ka qëndruar në protestë që në krye të herës para dy vjetësh është arrestuar.
Lulzim Basha ka ardhur te Teatri Kombëtar.
Të gjithë protestuesit e vendosur brenda godinës së Teatrit Kombëtar janë marrë me forcë e nxjerrë jashtë prej saj.
Monika Kryemadhi është kthyer sërish pas pak kohe në Teatër: “Nuk u ushtrua dhunë fizike ndaj meje, por vetëm psikologjike. U shoqërova në polici, u regjistrova. U bëj thirrje shqiptarëve të mos njohin qeverinë e Edi Ramës. Ato themelet ku ai do të ndërtojë do të bëhen varri i tij”, tha ajo.
Mbi 500 forca policie të rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë kanë rrethuar godinën. Ka patrulla të policisë gjithandej dhe të gjitha hyrjet e rrugëve janë të bllokuara.
“Ajo që ka ndodhur sot përshkruhet me tri fjalë: “Dhunë, pabesi dhe paligjshmëri! Policia ka dhunuar protestuesit. Dhunë barbare. Ka policë më shumë se në protestat e opozitës. Opozita do mblidhet sot dhe do të marrë vendime politike e do të hedhim hapa politikë… “, ka thënë kreu i PD Lulzim Basha.
“Kam qenë ministër e kurrë nuk e prisja një dhunë të tij. Kam parë duke shkelur me këmbë gra. Konkretisht, njerëzit janë rrahur me shqelma, madje dhe gra. Kjo është banda e një satrapi që kërkon përgjigje”, tha ish-deputeti i PD Flamur Noka.
I kthyer në vendin e protestës sërish, regjisor Robert Budina deklaron: "U bëj thirrje ndërkombëtarëve. Reagoni. Shembja ka filluar me njerëzit brenda. I bëj thirrje presidentit të shpërndajë parlamentin. Kriminelët duan të mbushin xhepat".
Mirela Karabinaj: “Ne hipëm lart që të rezistonim dhe fadroma nisi punën edhe pse ishim Brenda, ndaj ne u detyruam të dilnim…”
Gazetarët nuk lejohen të afrohen që të dëshmojnë se çfarë ka ndodhur me Teatrin Kombëtar.



