
Fatmirësisht, me sa di, operacioni që iu nënshtrua kryeministri Robert Fico pas sulmit, ka shkuar mirë dhe besoj se në fund do të mbijetojë.
Kështu tha zëvendëskryeministri sllovak Tomas Taraba për BBC, për gjendjen e kreut të qeverisë.
Ndërkohë televizioni sllovak Ta3, raportoi se kryeministri Robert Fico ndodhet në koma farmakologjike pas operacionit të gjatë që iu nënshtrua pas sulmit.
Operacioni zgjati mbi katër orë, ndërsa të shtënat nuk kanë dëmtuar arteriet kryesore.
Ministri i Brendshëm Matus Sutaj Estoka e përshkroi sulmin e së mërkurës si një atentat të motivuar politikisht.
Fico u qëllua përpara një ndërtese në qytetin qendror të Sllovakisë, Handlova, ku ishte mbajtur një mbledhje e qeverisë.
Kryeministri u plagos në bark, gjoks dhe gjymtyrë nga të paktën 4 të shtëna me armë, duke u transportuar me urgjencë në spital, pasi fillimisht u fut me shpejtësi në makinën e tij.
Autori i sulmit, i cili fshihej mes turmës së mbledhur para godinës ku po fliste kryeministri, u ndalua nga disa kalimtarë dhe forcat e sigurisë.
Autori i atentatit është identifikuar si një “majtist” 71-vjeçar, Juraj Tsintula, për të cilin thuhet se ka botuar disa koleksione me poezi dhe ka punuar për një shërbim privat sigurie në vitin 2016.
Ndërkohë politika e jashtme e kryeministrit 59-vjeçar ka tërhequr kritika nga Perëndimi, pasi pikëpamjet e tij gjithnjë e më pro-ruse kanë qenë në kundërshtim me ato të vendeve anëtare të NATO-s.



