
Një grup organizatash mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare i kanë dërguar kryeministrit Rama një letër të hapur, me anë të së cilës kërkojnë anulimin e projektit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Organizatat argumentojnë se ndërtimi i këtij aeroporti do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë – Nartë, duke sjellë dhe përshpejtuar një model ekonomik aspak miqësor ndaj mjediseve natyrore, i cili stimulon zhvillimin e pakontrolluar dhe të paqëndrueshëm, dhe shkatërron në mënyrë të pakthyeshme resurset dhe vlerat natyrore të zonës.
“Laguna e Nartës dhe mjediset përreth përfaqësojnë një nga ekosistemet ligatinore më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut. Vjosë-Narta, përveç se është Zonë e Mbrojtur në rang kombëtar, është gjithashtu pjesë e pothuajse të gjitha rrjeteve ekologjike ndërkombëtare në të cilat një zonë natyre në Shqipëri mund të bëjë pjesë. Kësisoj, zona është e njohur ndërkombëtarisht si “Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin” e quajtur “Laguna e Nartës“ me numër dallimi “AL005”. Në vijim, Vjosë-Narta është njohur si Zonë Kryesore për Biodiversitetin në nivel global e quajtur “Vjosë – Nartë (Vjosë-Pishë Poro-Laguna e Nartës)” me numër dallimi ALB24. Zona përmbush edhe kriteret për t’u klasifikuar si “Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare” sipas “Konventës të Ligatinave me Rëndësi Ndërkombëtare” apo sikurse njihet ndryshe “Konventa e Ramsarit” që Shqipëria e ka ratifikuar”, thuhet në letër.
Në zonën ku është parashikuar ndërtimi i aeroportit është regjistruar një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egër. Sipas organizatave mjedisore, ndërtimi i një infrastrukture të përmasave të tilla, jo vetëm që do të tjetërsonte në mënyrë të pakthyeshme peizazhin e mrekullueshëm të zonës, por do të largonte të gjithë llojet e shpendëve.
Një argument tjetër që ngrenë organizatat është rrezikshmëria e lartë për vetë sigurinë e aeroplanëve dhe njerëzve.
“Kjo zonë përfaqëson një prej segmentëve më të rëndësishëm të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit. Një pjesë e këtyre shpendëve, si për shembull pelikanët, çafkat, pulëbardhat, flamingoja etj, që në këtë zonë hasen me shumicë dhe gjatë gjithë vitit, kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike”, thuhet në letër.



