Sipas Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Kosova nuk mund të antarësohet në OKB pa arritur më parë një marrëveshje me Beogradin. Kreu i shtetit serb theksoi se ky akord i mundshëm mund të realizohet vetëm nëse ka përfitime të ndërsjellta.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me sa duket është zbutur edhe më tej në qëndrimet e tij lidhur me Prishtinën zyrtare, ndërsa ka deklaruar se Kosova mund të antarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara vetëm nëpërmjet një marrëveshje që ka përfitime të ndërsjellta.
Në një prononcim për gazetarët, Presidenti i Serbisë deklaroi se nga ky akord i mundshëm nuk nënkuptohet që serbët të mos marrin asgjë dhe shqiptarët të përfitojnë gjithçka.
Megjithatë, edhe njëherë, Vuçiç u shpreh kundër idesë së antarësimit.
Aleksandër Vuçiç: Jam shumë i sigurtë se përpjekja e tyre për t’u antarësuar në OKB do të dështojë. Ajo mund të rezultojë e suksesshme vetëm nëse arrijmë një marrëveshje. Megjithatë, ky akord s’mund të arrihet nëse dikush mendon se serbët nuk do të fitojnë asgjë dhe shqiptarët do të fitojnë gjithçka. Përpjekjet e Prishtinës deri më tani nuk kanë qënë serioze, pasi përfaqësuesit e tyre vijojnë të sillen vërdallë në korridoret e selisë së OKB-së.
Në mbyllje, Vuçiç i konsideroi veprimet e zyrtarëve të Prishtinës si lëvizje që kanë prapavijë politike.
Sipas tij, gjithçka po zhvillohet për shkak të rrethanave të brendshme.



