
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një konferencë për shtyp, ka folur për organizimin e finales së Cobference League ditën e djeshme në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Kreu i futbollit në Shqipëri, u shpreh se për organizimin, Shqipërisë iu dha nota maksimale, ndërsa shtoi më tej se në të ardhmen mund të shikojmë një tjetër finale europiane në vendin tonë.Disa vite më parë asnjë nuk do ta mendonte që Federata të realizonte një finale të tilla, por ia arritëm. Kjo finale na ka dhënë eksperiencë. Në të ardhmen mund të organizojnë ndonjë finale të Superkupës Europiane, apo finale të rinjsh, i kemi kapacitetet.
Përgjigjet kanë qenë pozitive nga të gjithë drejtuesit e Federatave homologe për organizimin e finales. Pa dyshim, shumë i kënaqur jo vetëm Presidenti me organizimin e gjithçkaje, që nga momenti i arritjes në Shqipëri të tifozit të parë dhe largimin e tifozit të fundit, vlerësimet kanë qenë maksimale. Pa dyshim që brenda një organizimi madhor si ky, ne kemi mbajtur shënim për ndonjë detaj që mund të ishte edhe më mirë, por në total, feedback-u ka qenë shumë pozitiv, përshtypjet shumë pozitive dhe nuk mund të them që e kemi kaluar klasën, por kemi marrë nota maksimale, të gjithë ne bashkë, për organizimin e një eventi shumë të rëndësishëm.
Gjithashtu Duka deklaroi se FSHF nuk e ka garën me politikën dhe shtoi se pa ndihmën e qeverisë, futbolli nuk mund të ecë përpara.
Ne nuk kemi garë me politikën. Ne bashkë me politikën, duam ta zhvillojmë vendin dhe pa politika të mira, nuk ka as futboll. Shumë herë, mbase edhe keqinterpretohen qëndrimet e Federatës me qeverinë. Federata është një organizatë që merr emrin Federatë me ligj nga qeveria shqiptare dhe pa politikën nuk mund të shkojë kurrkund. Politika duhet të kuptojë kompetencat e veta për të prodhuar politika të atilla që të zhvillojë çdo fushë të jetës sonë dhe një nga fushat është edhe sporti dhe ne këtu sot jemi për futbollin. Bazë ligjore të përshtatshme, infrastruktura të përshtatshme për të zhvilluar lojën dhe jo për të shkuar tek e fundit se si të kapim një institucion për ta përdorur për vete, por si ta bëjmë një institucion të vlefshëm për qytetarët apo për fëmijët.



