Shqipëria ka bërë një parapagim me përmes Covax, por praktikisht nuk dihet se çfarë lloj vaksine do të vijë në vendin tonë. Pikëpyetjet janë ngritur pasi u zbuluan detaje të kushteve të ruajtjes që kërkojnë amerikanet Pfizer dhe Moderna. Në studion e TvT, përmes një lidhjeje Skype, mjeku Albert Troci tha se Astra Zeneca mund të jetë vaksina që i përshtatet kapacitetit që ka Shqipëria.
“Vaksinat Pfizer dhe Moderna, që kanë specifika në zinxhirin e transportit, ka shumë vende që nuk i përmbushin këto kushte. Një luhatje e temperaturës ul efikasitetin e vaksinës. Është shumë e rëndësishme të mbahet në zinxhirin logjistik të transportit të vaksinës. Kjo vaksinë me ARN mesazhere mbyllet në një zarf lipidi. Nëse kjo shtresë lipidesh dëmtohet, atëherë vaksina bëhet joefikase. Shqipëria do të jetë një nga vendet që mund të shpresojë te vaksina si Astra Zeneca, më e lehtë për t’u transportuar”, tha ai.
Troci zbuloi edhe një risi në praktikën që po ndjekin spitalet në Itali, ku ai ushtron profesionin, me të sëmurët me Covid. Ai tha se në këto spitale po lejohen familjarët e të sëmurëve, prania e të cilëve ndikon pozitivisht në gjendjen psikologjike të të sëmurëve.
“Në valën e parë, në Itali ishte pak e pamundur. Në valën e parë ne bënim telefonata, tani mund të komunikojmë me tableta. Është shumë e rëndësishme prania e njerëzve, fytyrave të njohura për njerëzit, pasi ky virus çon edhe në çrregullime. Në disa spitale po lejohet që të afërmit të futen edhe në pavijone, në përputhje me kushtet e sigurisë”, tha ai.



