Dorëhiqet një prej gjyqtarëve të emëruar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Mirela Fana, anëtare e Gjykatës së Lartë, është dorëhequr sot. Ajo e ka motivuar largimin e saj nga institucioni i ri i sistemit të drejtësisë me dëshirën për të ndjekur jetën akademike.
Po sot, është dorëhequr edhe gjyqtari i Elbasanit, Ilir Pashaj.
Dorëheqja e dy gjyqtarëve vjen në të njëjtën ditë kur mbyllet afati për dorëzimin e deklaratave të pasurisë në ILDKPKI.
Deri më tani, në ILDKPKI kanë deklaruar pasuritë e tyre 359 gjyqtarë.
Në kuadër të ligjit të vettingut, gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend iu la afat 30 ditë për të dorëzuar në ILDKPKI deklaratat e pasurisë. Dorëzimi i tyre duhet të bëhej nga vetë prokurori apo gjykatësi në protokollin e këtij institucioni, ku edhe do të pajiseshin me një vërtetim përkatës për dorëzimin e deklaratës dhe fletën e inventarit për dokumentacionin justifikues bashkëlidhur deklaratës së pasurisë.



