Britania e Madhe tha të hënën se do të pezullojë menjëherë dhjetëra licenca të eksportit të armëve me Izraelin, sepse ekziston rreziku që pajisjet mund të përdoren për të kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke ngjallur reagim nga zyrtarët izraelitë.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se vendimi për të pezulluar 30 nga 350 licencat e armëve nuk përbënte një ndalim të përgjithshëm ose një embargo armësh, por përfshinte vetëm artikuj me shqetësime për përdorimin e tyre gjatë luftës së vazhdueshme midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
“Me keqardhje informoj Dhomën e Komunave (dhomën e ulët të Parlamentit) sot se vlerësimi që kam marrë më lë të paaftë të konkludoj asgjë tjetër përveç se për disa eksporte të armëve në Mbretërinë e Bashkuar në Izrael, ekziston një rrezik i qartë që ato mund të përdoren për të kryer ose për të lehtësuar një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar, "tha Lammy.
“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, shtoi ai.
Menjëherë pasi Partia Laburiste fitoi zgjedhjet në korrik, Lammy tha se do të përditësonte një rishikim mbi shitjet e armëve në Izrael për të siguruar që këto të jenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, qeveria e Britanisë nuk i jep armë drejtpërdrejt Izraelit, por lëshon licenca për kompanitë për të shitur armë, me kontributin e juristëve nëse ato janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.



