Policia e Shkodrës ka arrestuar 4 persona ndërsa një tjetër është në kërkim pasi hodhën kapsolla në fushë gjatë ndeshjes së futbollit “Vllaznia-Tirana”, në stadiumin “Loro Borici’.
Ata kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë të angazhuar për të garantuar rend dhe qetësi në stadium.
Të arrestuar në flagrancë janë 4 shtetasit e shoqëruar mbrëmë, menjëherë pas ndeshjes, D. P., 29 vjeç, Sh. X., 22 vjeç, Sh. S., 29 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim dhe duke ushtruar dhunë fizike;
Gjithashtu u procedua penalisht një 30-vjeçar, pasi dyshohet se gjatë zhvillimit të ndeshjes, ka hedhur lëndë piroteknike. Nga kontrolli fizik, 30-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 kapsollë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.



