
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka reaguar pasi presidenti rus Vladimir Putin vendosi në gatishmëri të lartë forcat bërthamore. Psaki tha se vendimi është pjesë e një modeli më të gjerë kërcënimeve që prodhohen nga Kremlini.
Ky është me të vërtetë një model që ne e kemi parë nga Presidenti Putin gjatë rrjedhës së këtij konflikti, i cili po prodhon kërcënime që nuk ekzistojnë për të justifikuar agresionin e mëtejshëm dhe nga ky prizëm duhet ta shohë komuniteti global dhe populli amerikan”, u shpreh ajo për “ABC”.
Psaki shtoi se SHBA-të janë të gatshme të dërgojnë më shumë furnizime ushtarake, humanitare, ekonomike dhe mbrojtëse në Ukrainë.
Konstatoj se sanksionet që shpallëm dje e vendosin Rusinë në të njëjtin nivel si Iranin, duke e shkëputur nga sistemi bankar dhe komuniteti global”, tha ajo.
E pyetur nëse Uashingtoni do të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër sektorit energjitik rus, Psaki tha se gjithçka është "në tryezë".



