Restaurimi i bërë në portat e Kalasë së Lezhës duhet ribërë nga e para. Ky është qëndrimi që mban Aleksandër Meksi, historian arkitekture dhe restaurues. Në një speciale për Tema Tv, Meksi, para çdo analize komode nëpër studio televizive, ka zgjedhur të flasë duke parë dhe krahasuar nga afër çfarë është bërë, nisur nga dëshmitë që ka lënë Ipeni për kalanë dhe portat e saj, në vitin 1907. Meksi pohon se porta e brendshme ku është vendosur pllaka me mbishkrimin osman që daton në vitin 1522 është krijuar më vonë, pasi për të nuk ka dëshmi të saktë historike nëse ka qenë atje apo jo. Ajo është krijuar sipas modelit të marrë nga fotot e Ipenit nga porta perëndimore, e cila edhe sot ka mbetur e paprekur. Duke krahasuar dëshmitë historike, me atë çfarë është krijuar sot, profesori pohon se pllaka është vendosur në portën e gabuar, ose më saktë në një portë të krijuar më vonë: “Do një dëshmi historike të rregullt dhe konfrontimimin me gjurmët tek monumenti,jo të krijosh diçka që s’ka qenë nënë pretkestin e jetërsimit. Mund ta krijosh këtë portë nga modeli që kemi, por të kuptohet që është bërë nga ne, me një datë, me teknikë të qartë, por mbasi të kemi bërë një gërmim dhe një studim të plotë, çfarë ka të vjetër këtu poshtë. Kjo do të ishte zgjidhja më e rregullt”, pohon Aleksandër Meksi, për debatin, i cili nga pakkush u analizua nga ana shkencore e nga profesionistë të fushës.



