
Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare, Kofi Annan, ish- sekretari i OKB-së, i cili fitoi çmimin “Nobel” për Paqe dhe Punë humanitare. Ish sekretari i përgjithshëm i OKB-së është ndarë nga jeta në moshen 80-vjecare. Lajmi është bërë i ditur nga Fondacioni Kofi Annan, i cili ka konfirmuar vdekjen e ish sekretarit përmes një deklarate të postuar në Twiter. Krerët e shteteve në Shqipëri dhe Kosovë, Ilir Meta dhe Hashim Thaçi kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kofi Annan.
“Me shumë trishtim mësova për ndarjen nga jeta të Kofi Annan, Sekretari i 7-të i përgjithshëm i OKB-së. Ngushëllimet më të ndjera për familjarët e të ndjerit, miqtë Fondacionit Kofi Annan & kolegët në mbarë botën. Do të mbahet mend si burrë shteti & diplomat i shkëlqyer, i përkushtuar për një botë më të mirë”, shkruan Meta.
‘Me trishtim mora lajmin për vdekjen e Kofi Annan. Ai ishte drejtues i OKB-së kur Kosova ishte nën kërcënimin e genocidit dhe ai ndihmoi për t’i dhënë fund luftës, për të nisur punën UNMIK si dhe për bisedimet finale për pavaresinë. Ngushëllime për familjen, miqtë dhe kolegët e OKB’ – shkruan Thaçi. Ish sekretari i përgjithshëm i kombeve të bashkuara është fitues i cmimit Nobel për Paqe dhe Punë humanitare . Annan ishte I pari afrikan me ngjyrë që mori rolin e diplomatit më të lartë në botë , duke shërbyer dy mandate nga 1997 ne 2006. Ai u vlerësua për kontributin e dhënë për ruajtjen e paqes në botë si dhe për luftën kundër AIDS-it.



