Qeveria ka përcaktuar kriteret që duhet të përmbushë një komunitet i caktuar, për t’u njohur si pakicë kombëtare. Sipas një vendimi të marrë në mbledhjen e fundit të vitit 2024, kërkesa për njohjen si pakicë kombëtare paraqitet nga një grupim jo më i vogël se 1% e popullsisë me shtetësi shqiptare. Vendimi parashikon që për shqyrtimin e kësaj kërkese të ngrihet një komision, i cili ka në përpbërje përfaqësues të disa ministrive, Drejtoria e Arkivave, Akademia e Shkencave, Komiteti për Pakicat Kombëtare dhe shoqëria civile.

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES, FUNKSIONEVE DHE PROCEDURËS SË KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E KËRKESËS PËR NJOHJEN E NJË PAKICE KOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 4, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kërkesa për njohjen formale të një pakice kombëtare sipas pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, depozitohet nga grupi i shtetasve që përbëjnë mbi 1 % të numrit të përgjithshëm të shtetasve që kanë shtetësinë shqiptare në Republikën e Shqipërisë, të cilët pretendojnë se i përkasin një pakice. Kjo kërkesë paraqitet pranë Komisionit për Njohjen e Pakicave Kombëtare, i cili ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme (në vijim referuar si “Komisioni”).

2. Dokumentacioni për njohjen formale të një pakice kombëtare përbëhet nga:

a) kërkesa e nënshkruar nga çdo pjesëtar i grupit që pretendon se i përket pakicës kombëtare që synohet të njihet;

b) formulari individual i vetëdeklarimit për secilin nga shtetasit që kanë firmosur sipas shkronjës “a”, për njohjen e statusit të pjesëtarit të pakicës kombëtare, sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Komisioni kryesohet nga zëvendësministri i ministrisë përgjegjëse për çështjet e brendshme dhe ka në përbërje:

a) një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në ministrinë përgjegjëse për gjendjen civile;

b) një përfaqësues nga ministri përgjegjës për pushtetin vendor;

c) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet e brendshme, përgjegjës për çështjet ligjore;

ç) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale;

d) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për punët e jashtme;

dh) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore;

e) një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave;

ë) një përfaqësues nga Akademia e Shkencave;

f) një përfaqësues nga Instituti i Historisë, në Akademinë e Shkencave;

g) katër përfaqësues nga Komiteti për Pakicat Kombëtare, ku njëri prej tyre është përfaqësues i pakicës kombëtare që kërkon të njihet, sipas rastit;

gj) tre përfaqësues nga shoqëria civile, të propozuar nga Komiteti për Pakicat Kombëtare, nga radhët e organizatave joqeveritare që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të personave që i përkasin pakicave kombëtare.

4. Komisioni, për kryerjen e veprimtarisë së tij mbështetet nga sekretariati teknik, i cili është përgjegjës për organizimin e punës, të sigurojë komunikimin me paraqitësit e kërkesave, të koordinojë punën mes institucioneve përgjegjëse, si dhe për çdo detyrë tjetër të nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit të Komisionit.

5. Sekretariati teknik kryesohet nga një nga përfaqësuesit e ministrisë përgjegjëse për çështjet e brendshme dhe ka në përbërje katër anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Dy përfaqësues të caktuar nga titullari i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme;

b) Një përfaqësues i caktuar nga titullari i ministrisë përgjegjëse për çështjet vendore;

c) Një përfaqësues i caktuar nga titullari i Komitetit për Pakicat Kombëtare.

6. Përfaqësuesit e institucioneve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, janë të nivelit të lartë drejtues.

7. Komisioni shqyrton kërkesën e paraqitur sipas pikës 1, të këtij vendimi, dhe verifikon plotësimin e kritereve ligjore të përcaktuara në pikën 1, të nenit 3, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe dokumentacionin e paraqitur sipas parashikimeve të neneve 6 dhe 7, të këtij ligji.

8. Komisioni shqyrton kërkesën e paraqitur sipas pikës 1, të këtij vendimi, brenda 9 (nëntë) muajve nga dita e pranimit nga ministria përgjegjëse për çështjet e brendshme.

9. Për shqyrtimin e kërkesës, Komisioni bashkëpunon me të gjitha institucionet publike në nivel qendror, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.867, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e bashkëpunimit në institucionet e administratës shtetërore”, të ndryshuar.

10. Vendimi arsyetohet dhe i komunikohet grupit të shtetasve apo përfaqësuesit të autorizuar prej tyre, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative. Kundër vendimit të Komisionit për refuzimin e kërkesës për njohje të pakicës kombëtare mund të bëhet ankim pranë gjykatës kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative.

11. Komisioni garanton transparencë në realizimin e veprimtarisë së tij, në përputhje me ligjin nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”, dhe programin e transparencës, duke i publikuar aktivitetet e tij në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për çështjet e brendshme.

12. Në rastet kur Komisioni vendos pranimin e kërkesës, i dërgon ministrit përgjegjës për çështjet e brendshme propozimin, shoqëruar me relacionin e argumentuar për vijimin e procedurave për njohjen formale të pakicës kombëtare.

13. Ministria përgjegjëse për çështjet e brendshme harton projektligjin për njohjen formale të pakicës kombëtare dhe propozon projektvendimin përkatës pranë Këshillit të Ministrave, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga paraqitja e propozimit nga Komisioni.

14. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e brendshme, ministritë dhe institucionet e parashikuara në pikën 3 për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.