
Dekreti i presidentit për Teatrin Kombëtar është rrëzuar me votat e maxhorancës në mbledhjen e sotme të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Kjo i hap rrugë kalimit në seancën e sotme të ligjit të kthyer për rishqyrtim.
Gjatë mbledhjes së komisionit, relatori Ilir Beqja u shpreh se komisioni nuk ka pse ta shqyrtojë pasi sipas tij një gjë e tillë është bërë edhe më parë.
“Bazuar në rregullore bëmë gjykimin e parë dhe bëmë ndryshimet që i vleresuam të nevojshme që u votuan. Kam lexuar dekretin dhe në vlerësimin tim më shume janë lojëra fjalësh. Kemi reflektuar çfarë shprehej si shqetësim nga Komisioni Europian”, tha ai.
Dy javë më parë, kreu i shtetit ktheu për rishqyrtim ligjin e ndryshuar për Teatrin Kombëtar.
Duke e konsideruar të ri ligjin e amenduar dhe të miratuar vetëm me votat e maxhorancës në shtator, pavarësisht se numri i ligjit është i njëjtë, por ka ndryshuar në përmbajtje, presidenti Meta e ka rikthyer në Parlament për rishqyrtim.
Sipas argumentimit të kreut të shtetit, ligji i ri “nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi”.
Po ashtu, presidenti konstaton se nuk ligji i ndryshuar sërish nuk zgjidh çështjen e trajtimit preferencial të kompanisë që do të marrë përsipër ndërtimin e Teatrit të ri si dhe nuk garanton konkurrencën e lirë në garën për ndërtimin e teatrit të ri.



