Dy ditë më parë u përcoll lajmi se Kampionati Europian i Peshëngritjes nuk mund të zhvillohej në Shqipëri, për shkak të skandalit të dopping-ut që lidhet me emrin e peshëngritëses Romela Begaj. Ishte ky skandal që solli edhe dorëheqjen e presidentit Elez Gjozaj, detyrë që i kaloi si i komanduar Gudar Beqirajt.
Por Televzioni Publik Shqiptar jep një tjetër version për arsyet se përse Europiani i Peshëngritjes nuk u zhvillua në Shqipëri. TVSH-ja citon një deklaratë të sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, dhënë po për TVSH-në:
Ky Evropian nuk mund të zhvillohet pa Elez Gjozën…Për vetë aftësitë menaxheriale dhe kontaktet me bizneset mbështetëse të Gjozës, ai ishte i vetmi person që mund ta organizonte këtë Evropian. Me dorëheqjen e tij, ne e shohim të pamundur organizimin e Evropianit në Tiranë
Fjalë të cilave siç raporton televizioni publik janë konfirmuar edhe nga drejtuesi i komanduar, Gudar Beqiraj.
Kemi pra dy raportime për anullimin e Europianit në Shqipëri: i pari sepse kështu u vendos nga Federata Europiane për shkak të doppingut dhe tjetri, që e shpjegon këtë anullim me tërheqjen e vetë Federatës Shqiptare të Peshëngritje, e cila në fjalët e Haxhihysesnit e lidh mbarëvajtjen e europianit me një emër, atë të presidentit të dorëhequr. Nuk po shtyhemi në pyetjet e shumta që lindin nga ky zhvillim absurd, por mjafton të sjellim shifrën që raporton TVSH:
Si u mor vendimi nga autortetet e FSHP për të hequr dorë nga organizimi i Europianit të Peshëngritjes në Tiranë ku do të vinin 1 000 sportistë, trajnerë, gjyqtarë e zyrtarë nga i gjithë kontinenti? A e kanë marrë parasysh personat përgjegjës që ky vendim cënon imazhin e Shqipërisë dhe jo vetëm në botës sportive të saj? Si mund të merrej ky vendim nga një grusht njerëzish, pa u konsultuar minimalisht me Ministrinë e linjës apo me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar?
Është e qartë se ka ardhur koha që në sportin shqiptar të vihet dorë, sepse nuk kemi të bëjmë me çifligje personale apo politike, por për fusha përfaqësimi mbarëkombëtare. Minimumi që duhet të bëjë FSHP është të sqarojë pozicionin e vet për një ngjarje të kësaj përmase.



