Konfindustria ka denoncuar këtë të dielë privatizimin e kontrollit të matësve të shitjes së karburanteve.
Administratori i Përgjithshëm i Konindustrisë, Gjergj Buxhuku, akuzoi qeverinë se po e kthen këtë shërbim në monopol.
“Krijimi i monopolit privat të shërbimit të kontrollit të matesave, në mungesë të parashikimit të mënyrave të kontrollit të koncënsionarit nga ana e institucioneve shtetërore, rrezikon ligjërimin dhe shtimin e abuzimit masiv me volume e shitjeve për qytetarët , bizneset, që sot arrin në të paktën 25 milionë euro në vit”, tha ai.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila ka akuzuar kryeministrin Rama se po jep një tjetër koncesion korruptiv. Deputetja Izmira Ulqinaku deklaroi se koncensioni do t’i jepet një biznesmeni të afërt me Kryeministrin Rama.
Sipas deputetes Ulqinaku, kjo tarifë do të paguhet nga xhepat e qytetarëve ose në çmim ose në sasinë e karburantit. Partia Demokratike ka thelluar akuzat duke thënë se kriteret e vendosura janë vetëm në favor të një kompanie, e cila ka marrë me koncesion edhe shkollat e Tiranës.
"Fitimi për koncesionarin llogaritet të jetë rreth 60 milionë euro. Është e njëjta kompani që ka marrë me koncesion shkollat e Tiranës, me pronar Gentian Sulën. Është e njëjta kompani për të cilën qeveria shpiku një tjetër koncesion korruptiv prej 95 milionë eurosh, atë të targave me çip. Për shkak të krietereve të vendosura që tenderi të fitohet vetëm nga kompania e Gentian Sulës, vendos monopol në treg duke shkatërruar garën dhe duke thelluar përqendrimin e ekonomisë në pak duar", tha Ulqinaku.
Këto akuza vijnë pas denoncimit të Konfindustrisë, sipas të cilës qeveria shqiptare ka vendosur të privatizojë shërbimin e kontrollit të matësve të shitjes së karburantit. Privatizimi i një shërbimi të tillë thuhet në deklaratën e Gjergj Buxhukut, është me rëndësi të veçantë për funksionimin e tregut të karburanteve në vend me qarkullim vjetor mbi 1 miliard euro, afro 11% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Gara për të fituar këtë tender është hapur dhe afati i mbylljes së ofertave është data 18 tetor 2018. Koncesioni do të zgjasë për një periudhë 20-vjeçare.



