Eksperti kontabël, Igli Zepishta, thotë se taksimi i ri i profesioneve të lira po rëndon mbi këtë shtresë, e cila po sheh mundësinë e largimit. Ndërkohë, e sigurt sipas tij është rritja e çmimeve për shërbimet që ata ofrojnë.
Qëkur ligji nisi të diskutohej, nuk u mor parasysh asgjë. Pjesa që goditet më shumë është pjesa e trurit. Tatohet me 15%. Është çmenduri të tatosh edhe mendjen si biznes. Këtu ka një përjashtim, sepse një pjesë e ekonomisë të njëjtin nivel fitimi e ka tatimin zero. Çfarë do të ndodhte nëse do të ndryshonte TVSH nga 20 në 30%. Do të kishte reagim të fuqishëm, sepse gjithçka ndikon në përditshmëri. Për të mos folur për largimet. Secili e ka mendjen të ikë, të operojë, të investojë. Shërbimet Shqipërisë po i pakësohen, profesionistët po ikin. Duke e ngarkuar me barrë fiskale të tillë, atëherë askush nuk e ka më mendjen të investojë në Shqipëri, por kërkon të gjejë rrugën më të lehtë. Që në fillim e kemi kundërshtuar vendosjen e taksave.



