Një 35-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Dibrës, pasi tentoi të vriste një person. Siç bën të ditur policia, ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 10:30 në vendin e quajtur varrezat e fshatit Kllobçisht. Arjan Skënderi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Kllobçisht-Maqellarë-Dibër, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. B, 43 vjeç, lindur e banues në Okshatinë-Shupenzë-Dibër.
Në vendin e quajtur varrezat e fshatit Kllobçisht, konkretisht në rrugën automobilistike të këtij fshati, shtetasi Arjan Skënderi sapo ka konstatuar shtetasin A. B, i cili ka qenë duke drejtuar mjetin Opel Corsa, është afruar tek makina e tij dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri mbi xhamin e pasëm, xham i cili është thyer plotësisht. Shtetasi A. B. nuk është lënduar nga e shtëna me armë zjarri. Në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se motivi i ngjarjes ka qenë se shtetasi i arrestuar nuk ka dashur që shtetasi A.B, të vinte në këtë fshat, pasi në vitin 2007, vëllai i shtetasit A. B, i quajtur A. B, ka vrarë me armë zjarri shtetasin J. M. (dhëndri i Arjan Skënderit).
Grupi hetimor ka kryer veprimet në vendin e ngjarjes por nuk u arrit të gjendet gëzhoja për shkak edhe të motit të keq me dëborë , por dyshohet se pistoleta mund të ketë qenë me mulli. Vijojnë veprimet për gjetjen e gëzhojës dhe të armës së zjarrit, si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



