Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë. Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit. Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë. Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë. Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë. Këtë e ka konfirmuar tashmë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë derisa lufta në këtë vend vazhdon. Pritjet janë që aleatët të shfaqin disa mospajtime se si t’i qasen këtij problemi në deklaratën përfundimtare. Kryeministri Edi Rama, ka përshëndetur punimet e Samitit, teksa thotë se ky vit i gjen aleatët e NATO-s më të vendosur. MIRËMËNGJES dhe me mesazhin e këtij viti të Samitit të Vilnius, Lituani që i gjen aleatët e NATO-s më të fortë e më të vendosur, për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve tanë, ju uroj një ditë të mbarë. “Për rreth 75 vite, kjo aleancë e madhe ka mbrojtur kombet tona dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot. Por, lufta është kthyer në Evropë. NATO po testohet, të gjitha demokracitë po testohen. Vladimir Putin donte ta dobësonte NATO-n. A do të përgjigjeshim? Apo do të shikonim nga ana tjetër? Një vit më vonë, ne e dimë përgjigjen. Ne u përgjigjëm, do të ishim të fortë, do të ishim të bashkuar, bota nuk do të shikonte nga ana tjetër. Ne vendosëm 40 000 trupa nën komandën e NATO-s me prani të konsiderueshme të forcave ajrore dhe detare. Dhe dyfishuam numrin e grupeve luftarake të NATO-s nga katër në tetë. Ne nuk kemi parë një unitet dhe solidaritet të tillë prej shumë vitesh. Sekreti i lumturisë është liria dhe sekreti i lirisë është guximi. Estonia kishte guximin të luftonte për lirinë tonë. E njëjta këshillë për miqtë tanë ukrainas. Lufta e tyre për liri sot është një kujtesë se liria nuk jepet si e mirëqenë dhe ajo ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme. Miqtë, aleatët e saj si partnerë evropianë janë vetëm në një anë, atë të paqes. NATO është një komunitet i bashkuar rreth vlerave tona: liria, demokracia, shteti i së drejtës. Ne qëndrojmë së bashku, mbrojmë njëri-tjetrin. Të gjithë për një dhe një për të gjithë. Për lirinë tonë dhe tuajën”, thuhet në videomesazhin e Aleancës".



