Një sasi e konsiderueshme lëndë plasëse, tritol ka shpërthyer mbrëmbjen e së shtunës në kryeqytet, pranë QSUT. Eksplozivi është vendosur pranë një biznesi privat, i cili dyshohet të jetë në pronësi të Ervin Matës, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në orën 22:40, teksa sasia e eksplozivit është vendosur në cepin anësor të këtij hoteli, nga hyrja e rrugës kryesore. Autorët dyshohet se lëndën plasëse e hodhën nga dritarja e makinës, i cili shpërtheu pas 4 minutash.
Policia dhe zjarrfikësja kanë mbërritur në vendgjarje, teksa deri më tani nuk ka asnjë autor të dyshuar. Policia ka arritur që të identifikojë targën e makinës, që është përdorur nga autorët, ndërsa është vënë në kërkim të saj.
Shpërthimi u dëgjua në gjithë zonën e Rrugës së Dibrës, ku shenjat janë janë ende të dukshme.
Zona ku ndodhi shpërthimi është pa shirita policie, ndërsa jashtë kameras banorë të zonës tregojnë frikën që përjetuan nga shpërthimi i tritolit.
Mbetet e paqartë se cilët janë autorët që hodhën eksplozivin. Policia është duke analizuar kamerat e sigurisë në hotel, por edhe bizneset përreth për të parë lëvizjet dhe dinamikën e ngjarjes.
Hedhja e tritolit dyshohet se ka qenë një mesazh për Ervin Matën. Ky i fundit është një emër mjaft i njohur për autoritetet policore, pasi është i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë, Fabiol Gaxha dhe i plagosur rëndë Elion Hato dhe Ervis Martinaj.
Për këtë ngjarje nën akuzë janë vënë ish- komandoja i Forcave Ushtarake Marviol Bilo, ndërsa Ervin Mata akuzohet për moskallëzimi të krimit dhe përkrahje të autorit të krimit, pasi dyshohet se është personi që ka ndihmuar, Marviol Bilon të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, i cili ende ndodhet në arrati. Shkak për sherrin dyshohet se u bë këngëtarja e njohur Elvana Gjata, mikeshë e Ervin Matës, e cila po ashtu dha shpjegimet e saj për ngjarjen.



