Ish-ministri i jashtëm Paskal Milo në studion e lajmeve në MCN ka komentuar për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara një ditë më parë në Kosovë për të cilat bëri një krahasim dhe me Shqipërinë ku u shpreh se kultura politike që karakterizon Kosovën mungon tek ne.
Ai tha se fitorja e Kurtit ishte e parashikuar dhe se ajo ka të bëjë me cilësinë e qeverisjes së tij, dhe se sipas tij ai kishte përballë një opozitë jo të besueshme.
Nuk është hera e parë qëkur ka fituar pavarësinë Kosova zgjedhjet atje kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe rezultati ka dalë brenda ditës, ndërsa te ne janë dashur dhe dy javë të dalin përgjigjet përpos gjërave konfliktuale. Këtu mungon kultura politike në raport me Kosovën, mungon te partitë politikë sepse janë ato që japin mesazhet e duhura dhe të paduhura dhe që organizojnë zgjedhjet.
Prandaj përgjegjësia kryesore qëndron te partitë që garojnë. E dyta ka të bëjë dhe me një kulturë politike të vetë popullit, duhet ta pranojmë se qytetarët e Kosovës kanë jetuar për një kohë të gjatë në Jugosllavi që mirë apo keq kishte një kulturë tjetër që diferenconte dhe kishte disa rregulla. Kjo kultivoi një marrëdhënie tjetër në raport me votën dhe përgjithësi me zgjedhjet, prandaj atje bëhen zgjedhje të qeta dhe rezultati del shpejt dhe këtu te ne jo.
I pyetur se si e komenton fitoren e Kurtit, Milo tha se mbështetur nga sondazhet fitorja e tij nuk ishte surprizë, ndërsa sa i përket ndërtimit të qeverisë mundësia më e madhe është një aleancë me PDK.
Ne parashikuam se Kurti do të merrte te 40%, pra fitorja e tij nuk ishte surprizë, përkundrazi në zgjedhjet e kaluara ai mori te 50%. Qeverisja të konsumon dhe zhvillimet e gërryejnë një parti në pushtet, por fitorja e tij ishte e parashikuar dhe kjo ka të bëjë për mua dhe me cilësitë e qeverisjes së Kurtit pavarësisht se kishte kundër një pjesë të medias dhe opozitës, por kishte mbështetjen e popullit.
Në politikë kurrë mos thuaj kurrë dhe Kurti e di mirë që me 41% të votave dhe 50 deputetë nëse arrin ti marrë nga 120 që ka kuvendi se merr dot mandatin për të krijuar qeverinë e ardhshme. Pra i duhen një numër i caktuar votash që ai si ka dhe për rrjedhojë do kërkojë koalicion për krijimin e qeverisë.
Gjatë ditëve në vijim në mos që sot ka nisur kontaktet për të gjetur partnerin, apo partnerët për të qeverisur dhe dy janë mundësitë, e para të drejtojë sytë nga votat e minoriteteve që posedojnë tashmë 10 deputetë. Mundësia më e madhe për mua është një aleancë me PDK, e cila ka numrat e duhur që po ti bashkohet Vetëvendosjes krijojnë një qeveri të qëndrueshme.
Sa i përket SHBA ata e duan sovranitetin e Kosovës dhe kanë investuar shumë për ta bërë Kosovën e pavarur dhe nuk duhet keqpërdorur një marrëdhënie paksa e tensionuar që është krijuar por që nuk cenon vlerat themelore mes Kosovës dhe SHBA.
Mund të ketë pakënaqësi, por nuk prek trungun, themelin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA. Prandaj politika ka dhe tolerancën e duhur që dhe kur nuk bien dakord të mos rrezojnë shtyllat mbi të cilat ngrihet kjo aleancë.



